Kosova

Zyrtari i DASH-it viziton Kosovën, takon vetëm Presidenten Osmani

Nga Gazeta ‘Si’- Zëvendëssekretari i Shtetit për Menaxhim dhe Burime i SHBA-së, Richard R. Verma, është duke qëndruar në Kosovë për të diskutuar një sërë çështjesh, përfshirë dialogun e Brukselit mes Prishtinës dhe Beogradit për normalizimin e marrëdhënieve.

Verma do të takohet paraditen e të premtes me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në zyrën e saj në Prishtinë.

Ai po viziton Kosovën si pjesë e turit që është duke e zhvilluar në Ballkanin Perëndimor, ku të enjten qëndroi në Shqipëri, ndërsa të shtunën do ta përfundojë me një ndalesë në Serbi, njoftoi Departamenti amerikan i Shtetit.

Vizita e tij po zhvillohet rreth dhjetë ditë para se administrata Biden ta përfundojë mandatin dhe presidenti i zgjedhur, Donald Trump të kthehet në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas DASH-it, në Kosovë, ai do të diskutojë për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, forcimin e qeverisjes dhe sundimit të ligjit, si dhe nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurisë energjetike në dobi të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog, nën ndërmjetësimin e BE-së, për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011. Dialogu mbështetet edhe nga SHBA-ja.

Ato arritën Marrëveshjen për normalizim marrëdhëniesh në shkurt të 2023-ës në Bruksel, dhe më u pajtuan për një aneks për zbatimin e saj në Ohër të Maqedonisë së Veriut atë vit.

Megjithatë, asnjëra palë nuk ka bërë hapa për zbatimin e saj dhe SHBA-ja vazhdimisht u ka kërkuar si Kosovës, ashtu edhe Serbisë, ta zbatojnë marrëveshjen.

Sipas njoftimit, Verma gjithashtu do të falënderojë Qeverinë e Kosovës për mbështetjen e fuqishme ndaj Ukrainës dhe ndihmën e dhënë afganëve në nevojë.

Kosova pranoi afro gati 2.000 afganë pasi talibanët morën pushtetin në vendin e tyre, në verë të vitit 2021.

Atëkohë, zhvendosja e tyre u bë me kërkesë të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

Ndërkohë që pjesa më e madhe e tyre është larguar tashmë nga Kosova, Ministria e Brendshme e Kosovës i tha Radios Evropa e Lirë në tetor se “një numër i vogël i tyre” vazhdon të mbetet në Kosovë, por nuk tregoi sa.

Në këtë vizite, Verma gjithashtu synon të riafirmojë angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor ndërsa ato ndjekin integrimin euroatlantik dhe thellimin e bashkëpunimit rajonal, thuhet në njoftim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë