Gazeta Si – Një fluturim i kompanisë “Ryanair” u devijua në mes të natës 250 kilometra larg për të mbërritur në aeroport vetëm 69 sekonda, pasi u mbyll sipas orarit dhe protokollit të terminalit.
Thirrja e pilotëve për kullën, duke nënvizuar orën e vonë, pas një udhëtimi katër orë e gjysmë dhe mbi 170 pasagjerë në bord, nuk pati asnjë dobi: kontrollorët ishin të përpiktë, duke i kujtuar pilotëve që të zbrisnin në pistë, nëse ishte e nevojshme pesë orë më vonë kur të rihapej aeroporti.
Udhëtimi
Ngjarja ndodhi në Gjermani, më 5 janar, me një avion “Boeing 737 Max” të linjës kryesore ajrore evropiane me kosto të ulët që bëri lidhjen FR2501.
Avioni – i cili ka 197 vende – duhet të ishte nisur nga Gran Canaria, një ishull spanjoll në Oqeanin Atlantik, në orën 16:50, 17:50 në Shqipëri, me destinacion Berlinin dhe uljen e planifikuar për në orën 22:50 (në të njëjtën kohë te ne).
Kohë e mjaftueshme, sepse është një orë e dhjetë minuta para fillimit të mbylljes pesë-orëshe të vendosur me ligj për objektin në kryeqytetin gjerman.
Vonesa
Por “Boeing”-u mbërrin në Gran Canaria shumë vonë nga një fluturim i mëparshëm dhe kjo detyron ekuipazhin të niset për në Berlin në orën 18:40, një orë e pesëdhjetë minuta më vonë, kur tashmë është ora 19:40 në kryeqytetin gjerman.
Komandanti dhe oficeri i parë përpiqen të rekuperojnë kohë aq sa munden për të shmangur tejkalimin e orasit të mesnatës, kur mbyllej aeroporti.
Dhe duke ndjekur gjurmët e “Flightradar24” – një faqe që monitoron lëvizjet në lartësi – duket si një rrezik i shmangur. Avioni fillon zbritjen e tij dhe arrin një lartësi prej 427 metrash.
Përpjekja e zbritjes
Në atë moment ora tregon 23.59 dhe 46 sekonda dhe pista është atje përpara, por ende disa qindra metra larg.
Për këtë arsye, nga kulla e kontrollit i kërkojnë avionit të devijojë drejt Hanoverit, 250 kilometra larg Berlinit, duke qenë se nuk pranohen më ulje.
Pilotët përpiqen të marrin trajtim preferencial, por pa sukses. Kur “Boeing”-u kalon mbi aeroportin e Berlinit është 00.01 dhe 9 sekonda. Më pas zbret në Hanover në orën 00.40 në mënyrë të sigurt.
Qëndrimi i aeroportit
“Fluturimi u detyrua të devijonte për në aeroportin e Hanoverit për shkak të refuzimit të stafit të kontrollit të trafikut ajror për ta lejuar atë të zbriste brenda 90 sekondave nga orari i rreptë i mesnatës i vendosur nga aeroporti”, – tha kompania “Ryanair” në një deklaratë të dërguar përmes postës elektronike për “Corriere della Sera”.
Si rezultat, pasagjerët duhej të udhëtonin afërsisht 3 orë nga Hanoveri në Berlin me autobus. “Pavarësisht çdo sanksioni, – vijon reagimi, – nuk kishte asnjë mundësi uljeje në Berlin për shkak të orarit të mbylljes dhe stafit të kontrollit të trafikut ajror që nuk lejoi asnjë fleksibilitet të arsyeshëm për ta bërë këtë”.
Precedenti
Siç kujton uebfaqja e specializuar “AeroTelegraph”, nuk është hera e parë që kontrollorët gjermanë refuzojnë një ulje avioni në Berlin në minutën e fundit për shkak të mbylljes së aeroportit sipas orarit të parashikuar.
Gjithashtu, korrikun e kaluar, fluturimi “8531 i Euroëings nga Alicante, Spanjë, u dërgua në Hanover për t’u paraqitur disa sekonda pas mesnate.
Një pasagjer në bordin e fluturimit tha më vonë për gazetën “Tagesspiegel” se piloti kishte njoftuar “se kishte mbërritur dhjetë sekonda me vonesë”.
Rregullat në Berlin
Leximi i buletineve zyrtare të dërguar pilotëve kujton se ndalesa ndërmjet mesnatës dhe orës pesë të mëngjesit në fluturimet e planifikuara në aeroportin e Berlinit është e rreptë (dhe nuk është i vetmi aeroport që i ka këto kufi).
Jo vetëm kaq. Ka gjithashtu një reduktim të lëvizjeve (maksimumi 31) në oraret 23:00-mesnatë dhe 5:00-06:00.
Me kërkesa të mëtejshme: nga ora 23:30 deri në mesnatë dhe nga ora 5 e mëngjesit deri në 5:30 të mëngjesit, lejohen vetëm fluturimet me vonesë.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.