Nga Gazeta ‘Si’- Partitë opozitare në Kosovë, ndryshe nga VetëVendosja që fokusin më të madh e ka mbajtur tek premtimet ekonomike, janë fokusuar kryesisht tek shëndetësia, arsimi dhe mirëqenia sociale.
Edhe pse fushata elektorale nisi zyrtarisht sot (e shtunë, 11 janar) kandidatët kryesorë të këtyre partive, kanë nisur prej ditësh të shpalosin pikat kryesore të programeve të tyre.
‘Ma mirë’/ Nga arsimi tek politika e jashtme: premtimet kryesore të PDK
Edhe pse në krye të listës të Partisë Demokratike të Kosovës qëndron Bedri Hamza, programin politik të kësaj partie e ka shpalosur kryetari i saj, Memli Krasniqi i cili ka peshë më të madhe politike në Kosovë.
Krasniqi deklaroi se me PDK-në në krye të Qeverisë, Kosova do të jetë “ma mirë”.
Sipas kreut të PDK-së, nëse si kryeministër i Kosovës do të zgjidhet Bedri Hamza, do të jetë më mirë për shëndetësinë por edhe për arsimin.
“Ne besojmë që është e domosdoshme që të investohet në shëndetësi më shumë e para së gjithash të investohet se paku 150 milionë euro në vit tek blerja e barnave nga lista esenciale me prioritet për sëmundjet e kancerit dhe sëmundjet kronike”, tha ai.
Po ashtu, nën qeverisjen e PDK, sipas Krasniqit edhe arsimi do të jetë më cilësor.
“Arsimi do të jetë më mirë sepse brenda mandatit do ta digjitalizojmë në çdo nivel dhe do ta modernizojmë në mënyrë që të ofrojë cilësi konkurruese me rajonin e të mos turpërohemi më nga rezultatet e PISA’s siç u turpëruam edhe këtë herë nën qeverisjen Kurtit”, ka shtuar ai.
Krasniqi ka deklaruar se me Bedri Hamzën kryeministër, qytetarët e Kosovës do të kenë ekonomi më të zhvilluar e paga më të mëdha.
“Ne besojmë se Kosova mundet më mirë, mundet më shumë. Qytetarët e Kosovës meritojnë më mirë, meritojnë më shumë. Ata ia kanë dhënë mundësinë zotit Kurti dhe ia kanë dhënë mandatin e plotë që t’i realizojë krejt ato që i ka premtuar ose së paku pjesën më të madhe të tyre, e fatkeqësisht nuk është realizuar pothuajse asgjë ose shumë pak.
Çka do të jetë më mirë nën qeverinë e udhëhequr nga Bedri Hamza dhe Partia Demokratike e Kosovës. E para, do të ketë paga më të mëdha, të hyra më të mëdha për familjet dhe qytetarët e Kosovës. Kjo është e para dhe më e rëndësishmja.
E dyta, do të ketë vende pune më shumë me paga më të mira. E treta do të ketë perspektivë. Do të ketë hapësirë, mundësi dhe meritokraci për të rinjtë e të rejat në veçanti, që ata të mos kërkojnë perspektivë jashtë vendit”, është shprehur ai.
Gjithashtu, ai u ndal edhe tek politika e jashtme. Krasniqi tha se do të përmirësohen marrëdhëniet me aleatët e Kosovës të cilat sipas tij, nën qeverisjen e Kurtit, kanë shënjuar pikën më të ulët.
“Do të jetë më mirë për Kosovën në arenën ndërkombëtare sepse do t’i rikuperojmë raportet që i kemi pasur jashtëzakonisht të mira me partnerët strategjikë, e që i ka degraduar kjo qeveri duke filluar nga SHBA, BE dhe shtetet e tjera partnere por edhe organizata ndërkombëtare. Ne jemi të bindur që nuk është e pamundshme me ba ma shumë e ma mirë për Kosovën dhe si parti jo vetëm që e kemi kandidatin më të mirë për kryeministër por edhe listën për deputetë”, shtoi ai.
“Bëhu ndryshimi”: Abdixhiku shpalos vizionin e LDK-së
Abdixhiku ndau vizionin e tij për menaxhimin e buxhetit prej 12 miliardë eurosh të Kosovës.
Prioritetet e tij përfshijnë ndërtimin e shkollave, spitaleve të reja, stadiumeve, si dhe investime në aktivitete kulturore, sportive dhe teknologji informative.
Ai premtoi që nëse Lidhja Demokratike e Kosovës vjen në pushtet, do të rrisë koeficientin e pagave në 150 brenda javës së parë të qeverisjes.
Ai gjithashtu kritikoi ashpër qeverinë aktuale për mungesën e reformave në arsim.
Abdixhiku shpalosi planin për ndërtimin e një stadiumi kombëtar me kapacitet prej 30 mijë vendesh në Bërrnicë, Prishtinë. Gjithashtu ai deklaroi se LDK ka si prioritet ndërtimin e një spitali të ri.
“Spitalin e ri e kam plan prioritet, kur them prioritet, dmth prej të parëve. Nëse me pyet se çka don me bo në gjashtë muaj e parë, është menjëherë me ia nis me u marrë me spitalin e ri.” – ka thënë Abdixhiku ndër të tjera.
AAK me fokus tek fuqizimi i grave, veriu dhe anëtarësimi i Kosovës
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj tha se vizioni i AAK-së është fuqizimi i rolit të gruas nga e drejta e trashëgimisë te fuqizimi ekonomik.
Në kuadër të prezantimit të programit zgjedhor në Pejë, Haradinaj theksoi se së bashku me gjithë kandidatët për deputetë të kësaj partie që garojnë për zgjedhjet e 9 shkurtit do të punojnë fort për përmirësimin e pozitës së gruas dhe vajzave në vend.
Haradinaj është zotuar se nëse AAK-ja fiton zgjedhjet “veriu i Kosovës ka me qenë më mirë sesa Peja”.
Ai gjithashtu tha se do të sigurojnë arsim të mirëfilltë, infrastrukturë të mirë rrugore, sigurim shëndetësor dhe anëtarësimin e Kosovës në NATO.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.