Gazeta Si – Një ditë pasi policia zbardhi vrasjen e Ramazan Matajt në Shkodër, Arjon Hasaj ka pranuar autorësinë e krimit, duke pretenduar se gjithçka e ka bërë për “nder”!
Ndërkohë, vëllai i autorit, shtetasi Klisman Hasaj, i dyshuar për sigurimin e kushteve për të kryer vrasjen dhe fshehjen e armës së krimit, ka mohuar akuzat ndaj tij, duke thënë se nuk ka qenë në dijeni të veprimeve të vëllait.
Gjatë dëshmisë së tij në polici, Arjon Hasaj ka treguar plotësisht dinamikën e ngjarjes, e cila sipas autorit ka ardhur si shkak i një lidhje që viktima kishte me motrën e tij prej të paktën 6 vitesh.
Para oficerëve të policisë gjyqësore, autori ka treguar se Ramazan Mataj ka ndikuar në prishjen e dy martesave të motrës së tij.
“Unë jam personi që e kam vrarë shtetasin Ramazan Mataj. Prej 6 vitesh ai kishte një lidhje me motrën tonë. Ramazani është personi që i ka prishur dy martesa motrës në 6 vitet e fundit. Ai këtë histori ia ka treguar shumë personave në fshat dhe më gjerë, ndërsa është personi që divorcoi dy herë motrën tonë. Madje ka shpërndarë edhe disa video tek ish-burri i dytë dhe tek njerëz të tjerë në fshat në momente intime me motrën”.
Arjon Hasaj më pas ka pohuar se kishte hapur një llogari të rreme me profilin e një vajze në rrjetet sociale për të siguruar një takim me Matajn.
“Unë hapa një llogari false në Instagram me emrin e një vajze dhe lashë një takim me Ramazan Mataj. Ai erdhi dhe aty e qëllova me armë zjarri. Më pas armën e fsheha disa metra më tutje nga vendi ku e vrava. Pas vrasjes jam larguar me biçikletë drejt banesës. Armën e kam patur në shtëpi prej disa kohësh. Motra ka disa kohë që nuk jeton në banesën tonë, jetonte në Shkodër”, mësohet të ketë deklaruar Hasaj.
Pas ngjarjes së rëndë policia e Shkodrës ka kryer përgjime në banesën e familjes Hasaj.
Gjatë përgjimeve, dy vëllezërit kanë folur për vrasjen e realizuar nga Arjoni, si dhe në një moment del se autori kryesor, Arjon Hasaj është penduar që kishte fshehur armën dhe ka shkuar duke e marrë sërish dhe duke e groposur në oborrin e shtëpisë për të qenë më i sigurt.
Pas këtyre përgjimeve policia arrestoi dy vëllezërit Hasaj si autorë të dyshuar të vrasjes së shtetasit Ramazan Mataj.
Pas krimit, dy vëllezërit e fshehën armën në një zonë të pyllëzuar dhe më pas e groposën në tokë në oborrin e banesës së tyre.
“Si rezultat i kontrolleve është bërë e mundur gjetja e armës së zjarrit me të cilën dyshohet se autori ka kryer vrasjen. Në përfundim të hetimeve, 2 vëllezërit Arjon dhe Klisman Hasaj janë arrestuar”, – njoftoi policia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.