Nga Gazeta ‘SI’ – Pas miratimit të vendimit të ERE, kryeministri Edi Rama zyrtarizoi uljen e çmimit të energjisë elektrike në vend, gjatë një konferencë për mediat.
Kryeministri tha se ky vendim është në ‘kundërtendencë’ me rajonin dhe kontinentin, ku çmimet e energjisë janë rritur, duke theksuar se vendimi është mbështetur në një ekspertizë të brendshme dhe ndërkombëtare.
“Ulja e parë e çmimit të energjisë elektrike në këto 35 vite. Kjo na mbush me krenari po të marrim parasysh çfarë humnere e kemi nisur ngjitjen. Ulja është në kundërtendencë të plotë me rajonin e kontinentin ku jetojmë ku çmimet e energjisë jo vetëm janë rritur por dhe janë të kërcënuar nga rritje të tjera. Duke pasur parasysh parimin e shpallur botërisht të qeverisë për të ndarë me qytetarët frytet e reformave të dhimbshme, e përpjekjeve të mundimshme në këto vite dhe të një rritjeje ekonomike që për 2025 e parashohim në harkun e 4% që është një shifër shumë domethënëse”, u shpreh kryeministri.
Ndër të tjera, kreu i qeverisë tha se konsumi i energjisë në vend është rritur, duke dëshmuar një pozicion më të mirë ekonomik duke sjellë dhe më shumë të ardhura për sektorin.
Kryeministri theksoi se Shqipëria është lider i energjisë së rinovueshme në rajon dhe synon që në pak vite të bëhet eksportues i energjisë
Shqipëria sot falë politikës sonë në fushën e energjisë, falë masave komplekse me shtrëngimin e një hapësire tërësisht të shqyer që gjetëm ku gjysme nuk e paguante dhe e vidhte. Falë incentivave, jo vetëm e para në rajon për vetë prodhimin e energjisë solare, por me distancë nga i fundit. Prodhojmë 169 Megavat energji elektrike nga subjekte private familjare. Në vendin e dytë Serbia me ¼ e prodhimit. Pastaj Kosova, Mali i Zi, Maqedonia janë bashkë. 3 vjet politikë në kulmin e sfidës nga kriza e madhe që prodhoi në gjithë sektorin energjitik lufta në Ukrainë. Sot Shqipëria 10% të prodhimit të saj e ka nga dielli. Kur ne hymë në këtë fazë e kishte zero. Me teorinë që ne kemi energji për veten dhe për të tjerët. Në vitet e mira hidrike në mbulojmë 75 % të nevojave. Ndaj ne nuk jemi sovran akoma. Por jemi 3 vite larg sovranitetit energjetik. “, përfundoi kryeministri Rama.
Pas Ramës, fjalën e mori zëvendësja e tij, Belinda Balluku, në pozitën dhe të ministres së Energjetikës e cila dha më shumë detaje për vendimin.
Ajo tha se shkaku kryesor i uljes së çmimit të energjisë është për shkak të performancës së kompanive të sektorit.
“Ulja e humbjeve teknike në 17.93% është një faktor tjetër. Norma e arkëtimit të energjisë së konsumuar ka ardhur në rritje nga viti në vit dhe aktualisht regjistrohet në 100,5%. Kompanitë shtetërore kontribuan ndjeshëm në uljen e çmimit”, tha ministrja.
Balluku tha se më shumë se 1 milionë abonentë përfitojnë nga vendimi, ose 95% e konsumatorëve sipas listës së OSHEE-së që konsumojnë deri në 700 kilovatorë. Duke treguar çmimin e ri, ministrja theksoi se kjo nuk është një fashë.
“Duke filluar nga data 1 shkurt, çmimi nga 9.5 lekë do të shkojë në 8.5 lekë/KWh për fashë 700 KEh. Por nuk është një fashë, ne flasim për një kategori konsumi. Vendimi vjen për shkak të eficiecës së energjisë elektrike. Kemi faturim për 2 kategori: 1-700 kilovatorë në muaj që do të tarifohen me 8.5 lekë për KWh. Mbi 700 do të jetë çmimi sa është edhe sot, 9.5 lekë. Nuk është tarifim me fasha, por me konsum”, sqaroi ministrja Balluku duke theksuar se do të ketë “ndjeshmëri” edhe për faturat që janë pranë kufirit të vendosur.
Sipas llogarive, ministrja tha se një abonent do të kursejë rreth 100 euro në vit nga vendimi, ndërsa OSHEE do të shpenzojë 3.1 mld lekë më shumë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.