Drejtësia

SPAK kërkon rikthimin e Berishës në ‘arrest shtëpie’, caktohet gjyqtari që do shqyrtojë ankimin. Seanca në 3 janar

Gazeta Si – Shorti i Apelit të Posaçëm, ka caktuar Engert Pëllumbin si gjyqtarin, që do të shqyrtojë në 3 janar çështjen ndaj Sali Berishës, për të cilin SPAK ka kërkuar rikthimin në masën e “arrestit shtëpiak”, pasi është nën hetim për dosjen “Partizani”.

Ankimimi i SPAK do të shqyrtohet në 3 janar 2025 dhe Engert Pëllumbi do të vendosë nëse do të rikthejë në izolim ish-kryeministrin, apo do të lërë në fuqi vendimin e GJKKO-së.

Kryedemokrati qëndroi i izoluar në banesën e tij për 11 muaj, ndërsa fitoi lirinë më 27 nëntor 2024. Ishte gjyqtarja Flojera Davidhi që pranoi kërkesën e bërë nga avokatët e ish-kryeministrit se nuk ekzistonte asnjë kusht apo nevojë për të vijuar ndaj tij masa e sigurisë, sa kohë edhe hetimet kanë përfunduar.

Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe 3 persona të tjerë, janë të dyshuar për përfshirje në korrupsion e pastrim parash gjatë procedurave të privatizimit të kompleksit “Partizani”.

Sali Berisha ndodhej në arrest shtëpie për dosjen “Partizani” që nga data 30 dhjetor 2023. Vendimi për masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj Berishës erdhi pas kërkesës së SPAK, pasi sipas organit të akuzës, kryedemokrati nuk zbatoi urdhrin e mëparshëm të gjykatës për t’u paraqitur para Oficerit të Policisë Gjyqësore.

Ish-kryeministri Berisha akuzohet si i dyshuar për korrupsion në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”. Nën hetim për këtë dosje është dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, i cili ndodhet në masë sigurie “arrest shtëpie”.

Berisha përmes avokatëve të tij bëri disa ankimime në gjykata, pasi nuk i ka pranuar akuzat e ngritura nga SPAK ndaj tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë