Drejtësia

U akuzua për trafik të 49 kg kokainë, GJKKO pushon çështjen ndaj Selim Çekajt

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e SPAK dhe ka pushuar çështjen në ngarkim të Selim Çekajt, i akuzuar si i dyshuar për trafik droge.

Selim Çekaj, i cili është babai i Arbër Çekajt, ishte i dyshuar për trafikimin e 49 kg kokainë nga Amerika Latine në drejtim të Shqipërisë më 1 prill të vitit 2021.

Çështja fillimisht u hetua nga Prokuroria e Durrësit dhe më pas kaloi për kompetencë në SPAK. Pas hetimeve, SPAK nuk gjeti prova për të provuar lidhjen e Selim Çekajt dhe kompanisë së tij “ECOALMAX” në përfshirjen e trafikut të drogës.

Selim Çekaj është babai i Arbër Çekajt, ky i dënuar me 14 vite burg për trafikimin e 613 kg kokainë, sasia më e madhe e kapur ndonjëherë në vendin tonë në magazinat e kompanisë së tij të bananeve ‘Arbri Garden’ në Maminas.

Edhe në kontejnerin me banane të porositur nga babai i tij, u gjet kokainë, por që nuk u provua përfshirja e Selim Çekajt në këtë çështje.

SPAK kishte kërkuar edhe më herët pushimin e çështjes, por Gjykata e Posaçme e kishte kthyer për të kryer edhe disa veprime të tjera hetimore. 

Gjatë kohës së hetimit, Selim Çekaj ndodhej pa masë sigurie.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë