Media Galeri

Krishtlindje të zymta në Betlehem. Qyteti i shenjtë shënon festë nën hijen e luftës

“Betlehemi është kryeqyteti i Krishtlindjeve. Supozohet të jetë periudha më e mirë e vitit. Asgjë nga këto nuk po ndodh sepse ne jemi duke mbajtur zi”, tha një prift në qytet.

Të krishterët u mblodhën në kishën e lindjes së Krishtit në qytetin e shenjtë të Betlehemit për të shënuar Krishtlindjen sërish nën hijen e luftës.

Në qytetin e lindjes së Krishtit në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, dekorimet festive munguan për të dytin vit radhazi. Vizitorët ishin të paktë në numër, krahasuar me turmat e turistëve dhe pelegrinëve në Krishtlindjet e viteve të kaluara, duke reflektuar situatën e zymtë ndërsa lufta mes Izraelit dhe militantëve palestinezë në Rripin e Gazës vazhdon.

Në sheshin Manger, zemra e qytetit palestinez dhe vendin ku të krishterët besojnë se lindi Jezu Krishti, një grup të krishterësh zhvilluan një paradë që theu heshtjen e mëngjesit të Krishtlindjes por ishte një paradë pa muzikë dhe pa instrumente. Tradicionalisht në Betlehem, një pemë madhështore e Krishtlindjeve duhet të ndriçonte Sheshin Manger dhe të gjithë bëheshin pjesë e ceremonisë së ndezjes së dritave të pemës por, si një vit më parë, as këtë vit nuk u bë ceremonia sepse nuk është vendosur pema.

Mesha e mesnatës u drejtua nga patriarku latin i Kishës Katolike, Kryepeshkopi Pierbatista Picabala. Duke iu drejtuar besimtarëve në Betlehem, ai tha se sapo ishte kthyer nga Gaza, ku pa se gjithçka ishte shkatërruar.

“Por unë pashë gjithashtu jetë, ata nuk dorëzohen, kështu që as ju nuk duhet të hiqni dorë kurrë”, u shpreh ai.

Të krishterët në Gazën e shkatërruar nga lufta, morën pjesë në meshën e Krishtlindjes në Kishën Latine të Familjes së Shenjtë në qytetin e Gazës.

“Nuk ka gëzim, nuk ka frymë festive. Ne as nuk e dimë se kush do të mbijetojë deri në festën e ardhshme”, u shpreh një banor i Gazës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë