Ngjarje

Kremtohet Krishtlindja, Imzot Dodaj: Të edukojmë të rinjtë, janë shpërqendruar nga gjërat e kota

Nga Gazeta ‘Si’- Besimtarët e krishterë në të gjithë botën festojnë sot një nga ngjarjet më të rëndësishme të kalendarit të tyre fetar atë të lindjes së Krishtit.

Qindra besimtarë katolikë ishin të pranishëm në katedralen e Shën Palit për të marrë pjesë në meshën  e shenjtë, mbajtur në mesnatën ku shkëmbyen fjalën e Zotit dhe urimet e tyre.

Në fjalën e tij, imzot Arjan Dodaj, Kryepeshkvi Metropolitan Tiranë- Durrës u lut për një botë pa luftra, dhunë dhe korrupsion.

Në mesazhin e tij nuk u la jashtë vëmendjes as periudha tranzitore që po kalon Shqipëria.

“Në këto tre dekada, kemi kërkuar të lirohemi nga fantazmat e së kaluarës për të projektuar një jetë të re, por kemi vënë përsëri larg nga ndërgjegjja jonë Zotin me zërin e Tij të ëmbël, duke ndërtuar një botë pa vlera, pa respekt, pa dialog, pa paqe, pa pajtim, pa të ardhme. Po ja që Zoti nuk na lë në rrugën tonë të bjerrjes”, thuhet në mesazhin e imzot Dodajt.

Duke theksuar se ky vit Jubile është cilësuar si vit i shpresës, Dodaj tha se shoqëria duhet të përqëndrohet te edukimi i brezave të tij.

“Kemi nevojë t’i edukojmë brezat e ri tek shpresa sepse janë të shpërqëndruar nga gjërat e kota, nuk dinë të shohin gjërat e bukura.

Kush nuk ka shpresë nuk ka familje, nuk jeton në rrjet, nuk është online me dashurinë me fenë e Zotin”,-tha ai.

“Le të triumfojë drita mbi errësirën” ishte edhe lutja qendrore e të gjithë besimtarëve dhe përfaqësueseve të komuniteti të krishterë


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë