Nga Gazeta ‘Si’ – Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, i cili humbi ndjenjat gjatë tubimit të opozitës në Tiranë mbrëmjen e së hënës (23 Dhjetor) ka reaguar pas daljes nga spitali duke treguar versionin e tij të ngjarjes.
Gjekmarkaj i përgjigjet në deklaratë njoftimit të policisë lidhur me incidentin me të gjatë protestës, duke e quajtur një njoftim dezinformues. Ai shprehet se nuk u ndje keq rastësisht po u dhunua në mënyrë brutale nga disa efektivë policie, ndonëse iu prezantua kush ishte.
“Dje thjesht jam mbrojtur”, u shpreh Agron Gjekmarkaj, i cili shtoi se nuk i pëlqen të viktimizohet dhe se kurrë në jetën e tij s’ka pasur konfliktime fizike.
Deputeti i PD-së theksoi se u rrethua nga një grup i madh policësh, të cilët sipas tij e shtynë brutalisht.
“Ju thashë mos më prekni, jam Agron Gjekmarkaj, Nën Kryetari i Kuvendit të Republikës, deputet, pedagog Universiteti me butësi gati me humor, nuk shquhem për forcë fizike, nuk bëj palester, ndaj bëni kujdes”, theksoi ai, duke shtuar se “më shtynë me shumë forcë, thyen edhe pasqyrën e veturës duke më ngritur gati në ajër mua”.
Agron Gjekmarkaj theksoi se doli nga turma e policëve duke u tërhequr nga të tjerët dhe në atë moment humbi ndjenjat.
Ai shtoi se nuk u ndie keq për shkak se kishte probleme shëndetësore, por sipas tij, si pasojë e veprimeve të efektivëve.
“Më ka mbetur në kujtesë egërsia në shikim e dy tre oficerve të policisë, zelli i tyre si dikur motit kur arrestoheshin deputetët e opozitës në 1946 , u dukej e padrejtë që dikush guxon të protestojë kundër pushtetit të tyre se ata e shohin pushtetin si gjënë e tyre, pse jo edhe si instrument dhune! Gjithsesi ata nuk mund të shtynin një deputet në atë mënyrë pa një urdhër politik”, shkruan Gjekmarkaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.