Drejtësia

Hetimi pasuror, Apeli i GJKKO rrëzon familjarët e kryebashkiakut Veliaj për kthimin e sekuestrove

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme e Apelit, rrëzoi ankimimet e bëra nga Ajola Xoxa dhe Arbër Veliaj, bashkëshortja dhe vëllai i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj për kthimin e sendeve personale të sekuestruara në kuadër të një hetimi pasuror të nisur nga SPAK.

Familjarët e Veliajt kishin depozituar një padi, ku kundërshtonin veprimet e SPAK dhe GJKKO, në lidhje me kontrollin e ushtruar mëngjesin e 6 dhjetorit nga agjentët e BKH në banesat e tyre dhe të familjarëve, si dhe në zyrat e fondacionit “Harabel”, ku u sekuestruan dokumente dhe materiale për hetimin.

Tre ditë më parë, ishte GJKKO ajo që refuzoi kërkesën e saj dhe vëllait të kryebashkiakut, Arbër Veliaj, për t’ju kthyer sendet e sekuestruara nga SPAK gjatë kontrollit personal dhe disa ambienteve në pronësi të tyre.

Sips burimeve, mësohet se një ditë më parë, Xoxa dha shpjegime për gati 3 orë në SPAK për llogari të një hetimi për “korrupsion” të nisur nga kjo strukturë.

Avokatët e Ajola Xoxës dhe Arbër Veliajt pretendojnë që kontrollet janë bërë në shkelje të ligjit procedurial për mungesë shkaku të ligjshëm.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në një reagim mbi hetimet e SPAK ndaj tij theksoi se agjentët e BKH-së kishin trokitur në derën e banesës së tij pa një vendim gjyqësor.

Në një komunikim publik, kryebashkiaku, i cili atë ditë ndodhej për një vizitë pune në Gjermani, tha se është i hapur dhe bashkëpunues me hetimet që të zbardhet e vërteta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë