Drejtësia

Gjykata Kushtetuese voton pro qëndrimit të Gjykatës së Lartë për Holta Zaçajn: Mandati i përfundon në 10 mars 2025

Gazeta Si- Gjykata Kushtetuese ka votuar pro qëndrimit të Gjykatës së Lartë për përfundimin e mandatit të kreut të Kushtetueses, Holta Zaçaj, më 10 mars 2025.

Vendimi është marrë nga mbledhja e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ku nuk ka qenë prezente vetë Zaçaj.

Por duket se anëtarët e Kushtetueses janë dakordësuar me datën kur Gjykata e Lartë kishte shpallur vakancën, pra 10 marsin e 2025.

Zaçaj pretendonte se në këtë datë kishte përfunduar mandati i anëtares Vitore Tusha, që kryetarja në detyrë e Kushtetueses, e zëvendësoi.

Në qëndrimet publike, Zaçaj argumentonte se data 10 mars 2017, që i referohet datës në të cilën gjyqtarja Vitore Tusha ka mbaruar detyrën e saj, nuk është përcaktuese për përfundimin e detyrës së znj.

Për të shuar këtë dilemë, ajo thirri mbledhjen e gjyqtarëve në Kushtetuese dhe për t’i paraprirë situatave të ngjashme në të ardhmen, ajo deklaroi se ka kërkuar edhe opinionin e ekspertëve ndërkombëtarë të Komisionit të Venecias.

“Duke qenë se, as dispozita kushtetuese, për rrjedhojë as vendimi i Gjykatës së Lartë për zgjedhjen në detyrë të gjyqtares kushtetuese, nuk ka një datë të përcaktuar për përfundimin e kësaj detyre, bazuar në rregullat e përgjithshme juridike për llogaritjen e afateve, si afat fundor i ushtrimit të detyrës do të duhet të konsiderohet fundi i vitit 2025. Data 10 Mars 2017, që i referohet datës në të cilën gjyqtarja Vitore Tusha ka mbaruar detyrën e saj, nuk është përcaktuese për përfundimin e detyrës së znj. Holta Zaçaj si gjyqtare pasuese”, thuhej në njoftimin zyrtar të Zaçajt disa ditë më parë.

Ndërkohë Gjykata e Lartë ka hapur procedurat për aplikime për të zëvendësuar kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj.

Sipas Gjykatës së Lartë, ndryshe nga sa pretendon zonja Zaçaj, mandati i saj përfundon në mars të vitit 2025.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë