Arsim

Qeveria vendos mbylljen e TikTok në Shqipëri, prezantohet plani me 4 pika i sigurisë në shkolla

Gazeta Si- Në një plan prej 4 pikash, qeveria ka vendosur të mbyllë për të paktën 1 vit, platformën e njohur të rrjeteve sociale TikTok në territorin e Shqipërisë pak javë pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani në një sherr me thika mes nxënësve pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë.  

Pasi u hodh për konsultim publik, ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu deklaroi se do të bllokojnë platformën e nohur sociale.

Në një takim me mësues dhe prindër, Manastirliu nuk dha shumë detaje, ndërsa tha se sipas konsultimit publik 90% e prindërve janë pro bllokimit ose kufizimit të platformës.

“Në një kohë kur sfidat teknologjike janë të pashmangshme, siguria fizike dhe digjitale është prioritet. Për rritjen e kësaj sigurie kemi vendosur bllokimin e platformës TikTok, bazuar në një paketë instrumentesh që po punohet nga AKCESK dhe AKSHI. Po ashtu, do të vendosim kamera inteligjente përmes projektit ‘Smart City’, duke siguruar një monitorim më efektiv brenda shkollave dhe perimetrit të tyre”.

Manastirliu theksoi se “në dy vitet e ardhshme do të dyfishojmë numrin e oficerëve të sigurisë, duke arritur në 500 dhe do të ngremë një strukturë të dedikuar brenda drejtorive arsimore për të koordinuar detyrat e oficerëve të sigurisë dhe bashkëpunimin me njësitë lokale të mbrojtjes së fëmijëve.”

Duke prezantuar planin e ri për sigurinë në shkolla, Manastirliu tha se ai do të zbatohet për një periudhë 3-vjeçare.

“Mbi 90% e prindërve janë pro bllokimit apo kufizimit të platformës, mbi 80% e prindërve kërkojnë fuqizimin e masave, mbi 57% pranojnë se ekspozimi ndaj rrjeteve u sjell fëmijëve edhe sjellje të papërshtatshme dhe ndikon në shëndetin mendor. Do zbatohet për 3 vjet, plan ambicioz që reflekton përgjegjësinë si shtet, institucione, prindër, mësues, qytetarë. Përmes këtij pani synojmë fuqizimin e mekanizmave të parandalimit në funksion të rritjes së sigurisë në shkolla”.

Ministrja Manastirliu nënvizoi rolin e edukimit dhe ndërgjegjësimit. “Nuk mund të ketë siguri pa edukim. Miratimi i Kodit të Ri të Etikës për mësuesit, fuqizimi i Këshillave të Prindërve dhe organizimi i Kuvendeve Rajonale periodike janë hapa thelbësorë për të ndërtuar një front të përbashkët në edukimin e fëmijëve. Gjithashtu, përmirësimi i kurrikulave dhe teksteve të Edukimit Qytetar, Digjital dhe Ligjor do të ndihmojë në formimin e një brezi më të ndërgjegjësuar dhe më të përgjegjshëm”, - shtoi Manastirliu.

Në përmbyllje, ministrja foli për konceptin e Shkollës së Hapur si një nga katër drejtimet e Planit të Ri të Veprimit.

“Një shkollë e hapur është një shkollë që shërben komunitetin. Do të zgjerojmë programet ‘Shkolla Qendër Komunitare’ dhe ‘Ekipet Sportive në Shkolla’, duke përfshirë mbi 20,000 nxënës në aktivitete jashtëshkollore sportive. Nga viti 2025 do të pilotojmë shkollat verore në Tiranë, për të siguruar që fëmijët të kenë hapësira të sigurta edhe jashtë orarit mësimor”.

Cilat janë 4 pikat e planit

1-Siguria fizike dhe dixhitale: Bllokimin e Tik tok bazuar në një paketë masash që po punojnë Agjencia kombëtare e sigurisë së informacionit.

Vendosjen e kamerave inteligjente duke siguruar monitorim efektiv brenda periudhës së zbatimit të këtij plani. Dyfishimin e numrit të oficerëve të sigurisë, në 500 .

Strukturë brenda drejtorive arsimore që do merret me menaxhimin e punës së oficerëve. Axhenci e Posacme për sigurinë në Shkolla.

2-Rrjetet e mbështetjes psikosociale

3-Edukim dhe ndërgjegjësim

4-Shkolla e hapur

Kjo lëvizje e qeverisë erdhi pas vrasjes së Martin Canit me thikë nga një bashkëmoshtar pranë shkollës "Fan Noli" në Tiranë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë