Gazeta Si - Sot, më 19 dhjetor (e enjte), shënohet 5-vjetori i krijimit të Prokurorisë së Posaçme, ku SPAK nisi punën në vitin 2019, duke u kthyer në një nga institucionet kyçe të reformës në drejtësi.
Në këto pesë vite, SPAK është përpjekur të tregojë angazhim të pandërprerë për të ndjekur penalisht bosët e krimit dhe figurat e larta të korruptuara të çdo niveli, duke sjellë përpara drejtësisë emra të rëndësishëm, jo vetëm nga bota e krimit, por edhe zyrtarë e ish-zyrtarë të lartë.
Sipas drejtuesit të tij, Altin Dumani, gjatë pesë viteve të fundit, SPAK ka regjistruar një sërë çështjesh penale, duke vepruar shpesh me nismën e vet dhe ka arritur të sekuestrojë dhe konfiskojë asete me vlerë deri në 150 milionë euro.
Dumani ka theksuar se bashkëpunimi ndërkombëtar ka qenë një shtyllë kyçe e suksesit të këtij institucioni, si në luftën kundër korrupsionit ashtu edhe kundër krimit të organizuar.
Kreu i Prokurorisë së Posaçme, ka propozuar disa përmirësime në kuadrin ligjor, përfshirë uljen e pragut të korrupsionit në 500 euro në Kodin Penal, për të rritur efikasitetin në ndjekjen e rasteve më të ndërlikuara.
“Në këtë periudhë 5 vjeçare SPAK ka regjistruar 1809 procedime penale për 2496 persona. Prej tyre, 1387 persona janë dërguar për gjykim. Ky rezultat është një tregues i qartë i angazhimit tonë për të çuar para drejtësisë dhe për të mbajtur përgjegjës ata që shkelin ligjin. Lidhur me korrupsionin sot numërojmë 1097 procedime penale dhe 1036 persona nën hetim. Nga këta 61 janë zyrtarë të nivelit shumë të lartë dhe 70% të tyre janë dërguar për gjykim. Sa i takon krimit të organizuar kemi regjistruar 494 procedime penale për 955 persona në hetim. Numri i personave të hetuar përbën 38.14% të totalit", - u shpreh Dumani këtë të enjte.
Dumani gjithashtu i ka sugjeruar politikës mundësinë e rikandidimit të prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit 9-vjeçar.
Në prill të këtij viti, gjatë raportimit të tij në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, kreu i SPAK, Altin Dumani theksoi se u duhet dhënë një mundësi prokurorëve të posaçëm për rikandidim pas mbarimit të mandatit 9-vjeçar.
Sipas tij, e para sepse ata duhen parë si “aset” dhe së dyti sepse Shqipëria nuk ka shumë prokurorë të kualifikuar, për të mbushur më pas boshllëkun që krijohet.
Sipas ligjeve në fuqi, Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme zgjidhen për një mandat 9-vjeçar pa të drejtë riemërimi.
Rreth 10 ditë më parë, Altin Dumani u shpall kampion i antikorrupsionit nga Departamenti Amerikan i Shtetit, duke marrë vlerësimin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që është një nga vendet që i ka mbështetur më shumë organet e reja të drejtësisë shqiptare.
Vlerësimi, Dumanit iu dorëzua në një ceremoni nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken në zyrat e Departamentit të Shtetit.
Nga na tjetër, SHBA dhe BE vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë në këtë proces jetik, duke i qëndruar pranë popullit shqiptar në rrugën drejt një sistemi drejtësie të drejtë dhe të pavarur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.