Ngjarje

Për herë të parë, prindërit e Martin Canit i bashkohen protestës: Kërkojmë dorëheqjen e Manastriliut

Nga Gazeta Si - Edhe pse më parë kanë deklaruar se çdo gjë do e lënë në dorë të drejtësisë, prindërit e Martin Canit, 14-vjeçarit të vrarë para një muaji në afërsi të shkollës ‘Fan Noli’ thonë se kanë humbur shpresat tek drejtësia dhe sot, për herë të parë, i janë bashkuar protestës së prindërve dhe qytetarëve, duke kërkuar drejtësi për vrasjen e djalit të tyre.

Prindërit e Canit kërkuan dorëheqjen e ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliut, drejtoreshës së shkollës “Fan Noli” dhe të mësueses kujdestare të klasës së djalit të tyre.

Ata i bënë këto kërkesa teksa morën pjesën në protestën e mbajtur para Ministrisë së Arsimit këtë të mërkurë.

“Martini kishte ëndrra të mëdha, më thoshte “Do të bëhem si Ronaldo”. Shkonte çdo ditë në stërvitje dhe studionte. Martini im iku, por të mos ikin “Martina” të tjerë”. Dua dorëheqjen e ministres, drejtoresha e shkollës, mësuesja kujdestare që nuk më tha asnjë fjalë. Ku ishte ajo mësuese që më thoshte në mbledhje që Martini ishte fëmijë shembullor, mblidhte shokët dhe i bënte të buzëqeshnin”, tha mamaja e Martinit, Florina.

“Turp të të vijë Ogerta Manastirliu! Nuk erdhe të thoshe as ngushëllime. Lërini ato karrige sepse nuk vlejnë më shumë se gjaku i një fëmije”, shtoi më tej ajo.

Shumë qytetarë kanë vendosur qirinj në derën e shkollës “Fan Noli”, ku ai mësonte. Ata janë shprehur se nuk do të ndalojnë me protestat derisa të vendoset drejtësi dhe ministrja Manastirliu të japë dorëheqjen.

Prindërit e tij një ditë më parë iu drejtuan me një letër Ambasadës Amerikane ku kërkonin përgjegjshmëri nga institucionet shtetërore në vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë