Gazeta Si - SPAK ka mbyllur hetimet për çështjen "Toyota Auris" dhe i ka komunikuar akuzën ish-kryeprokurorit të Vlorës, Aurel Zarka, i dyshuar si i përfshirë dhe i ka kërkuar GJKKO kalimin e dosjes për gjykim.
Pak ditë më parë, Prokuroria e Posaçme i ka komunikuar akuzën Zarkës dhe Erjona Daupajt, e cila ndodhet në kërkim përmes avokatit të saj. Akuza iu komunikua edhe avokatit Radovan Çela.
LEXO EDHE:
- Arrestimi i kryeprokurorit të Vlorës, SPAK: Aurel Zarka merrte ryshfet për të ndikuar te gjyqtarët e prokurorët. Ndërhyri edhe te hetimi pasuror i Suel Çelës
- Përgjimet nga Belgjika për 3.4 milionë eurot në dosjen ‘Toyota Auris’ zbuluan kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka
Aurel Zarka akuzohet për korrupsion dhe ushtrim ndikimi; Erjona Daupaj, për korrupsion, ushtrim ndikimi dhe zbulim të akteve sekrete; Radovan Çela, për korrupsion aktiv dhe ushtrim ndikimi; Astrit Vlasi, për korrupsion aktiv.
Fillimisht, çështja u hetua nga Krimet e Rënda, por akuza u drejtua për grup kriminal dhe pastrim parash. Më pas, Gjykata e Tiranës dënoi Elvis Vladin, Alban Mollaymerin dhe Alfred Vladin me akuzën e mosdeklarimit të të hollave në kufi.
Dosja më pas u hetua sërish nga SPAK, pasi 4 të pandehurit dolën nga përgjimet e "SkyECC", teksa komunikonin për të ndërhyrë tek funksionarët e drejtësisë në mënyrë që të lehtësoheshin akuzat.
SPAK thotë se nga hetimet rezultoi që herë në bashkëpunim herë jo, kishte ndërhyrë dhe ishte korruptuar bashkë me zyrtarë të drejtësisë për çështje hetimore.
Zarka bashkë me ish-oficeren e Policisë Gjyqësore, Eriona Daupaj, avokatin Radovan Çela dhe Astrit Vladin, akuzohen se kanë ndërhyrë, marrë ryshfet dhe dhënë ryshfet funksionarëve në 8 çështje penale, 4 nga të cilat lidhen me dosjen “Toyota Yaris”.
Kjo dosje lidhet me ngjarjen e vitit 2018, kur ish-prokuroria për Krimet e Rënda hetoi rastin e sekuestrimit të një shumë prej 3.4 milionë euro të bllokuara në Portin e Durrësit, në bordin e një automjeti “Toyota” të mbërritur nga Belgjika.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.