Politike

Pr/ligji për heqjen e gjobave, Balla: Në linjë me nisma të ngjashme në vendet e BE-së. Opozita: Krijon pabarazi!

Nga Gazeta ‘Si’- Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla deklaroi sot se, projektligji për anulimin e masave administrative është plotësisht në të njëjtën linjë me plot nisma të ngjashme të ndërmarra në disa vende të BE-së.

Në fjalën e tij në Komisionin e Ligjeve, Balla tha se, “duhet vlerësuar si një praktikë e mirë që Kuvendi, një grup parlamentar ngre një grup pune, i cili punon për një periudhë të gjatë, pothuajse 2-vjeçare për të hartuar një politikë të tillë”.

Balla theksoi se, ky pr/ligj për anulimin e masave administrative kërkon shfuqizim të disa masave të paekzekutuara të vendosura nga inspektoratet përkatëse në të gjithë territorin e vendit, me një theks të veçantë në ndërhyrje në objekte banimi apo objekte që lidhen kryesisht me aktivitete bujqësore edhe blegtorale.

“Nisma për anulimin e masave administrative të paekzekutuara, nuk është një nismë që nuk gjendet në vende të tjera dhe këtu i referohem kryesisht vendeve të BE-së. E gjej nismën plotësisht në të njëjtën linjë me plot nisma të ngjashme të ndërmarra në disa vende të BE-së dhe kjo nismë është pothuajse e njëjtë me një nismë të ngjashme të marrë në Itali dhe në Francë, sa i përket shkeljeve që ato i quajnë të vogla administrative, ku janë zbatuar anulim masash të ngjashme të lidhura dhe me ndërtimet e vogla pa leje, duke synuar, siç thotë për shembull parlamenti italian për uljen e barrës financiare me qytetarët”.

Po ashtu, shtoi Balla, “masa të ngjashme janë marrë nga parlamenti gjerman dhe ai spanjoll gjatë pandemisë COVID-19. Në fakt edhe Kuvendi i Shqipërisë, përmes një akti normativ në vitin 2020 ka bërë të njëjtën ndërhyrje, që lidhet me mosrespektimin e masave, faljen apo reduktimin për të ulur presionin mbi qytetarët dhe biznesin”.

“Sa i përket nxitjes së formalizimit në zonat rurale, kryesisht në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, Hungaria dhe Polonia, në të njëjtën frymë me propozimin që vjen nga grupi parlamentar i PS dhe nga kolegu Erion Braçe, kanë zbatuar politika për faljen e gjobave ndaj subjekteve rurale për ndërtimet ose aktivitet e tyre në shkëmbim të një formalizmi të mëvonshëm”, tha Balla.

Ndërsa deputeti i PD Saimir Korreshi u shpreh se sipas tij, ky ligj nuk është i ndërtuar drejt. Sipas tij, me mënyrën se si është ndërtuar ky ligj, i bie që “ca të jenë të nënës, ca të njerkës”.

“Unë mendoj që gjobat që kanë ngelë pa vjelë te pjesa më e madhe janë vetëm subjekte të majta dhe unë mendoj dhe gjykoj që ky është qëllimi i këtij ligji”, tha Korreshi.

Ndërsa deputetja e PD Elda Hoti tha se kjo qeverisje në 12 vite sipas saj ka bërë 0 investime për zonat rurale dhe se ky ligj krijon pabarazi.

“Atyre që u keni vënë gjoba i keni bërë të përballen me procese të gjata gjyqësore përveç burgosjeve dhe gjobave që u keni vënë. Kanë qenë ndërtime që në shumë raste nuk kanë qenë për pasuri luksi siç i falni gjobat e oligarkëve tuaj por kanë qenë për nevoja jetike.

Çfarë ndodh me ato që kanë paguar gjobat? Pse nuk ua ktheni paratë atyre që i kanë paguar? Sepse ky projektligj krijon pabarazi dhe është ndërtuar vetëm për qëllime elektorale”, deklaroi ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë