Kosova

Kurti nuk shkoi në prokurori, opozita: Mesazh i gabuar, askush nuk është mbi ligjin

Nga Gazeta 'Si'- Partitë opozitare kritikuan kryeministrin Albin Kurti që nuk u paraqit pranë Prokurorisë Speciale për të dëshmuar, ashtu siç ishte ftuar ditë më parë.

Partia Demokratike e Kosovës tha se mesazhi që transmetohet është i gabuar.

“Në radhë të parë është një mesazh i keq për qytetarët e Kosovës, në këtë rast për mënyrën se si e trajton organin e akuzës. Dhe mendoj që ashtu siç e ka përcaktuar edhe Kushtetuta, pushtetet janë të ndara. Në këtë rast gjithkush duhet ta kryejë punën e vet, organi i akuzës është pikërisht për të mos lejuar që të ndodhin keqpërdorimet dhe për të luftuar dukuritë negative”, tha kreu i grupit të PDK, Abelard Tahiri.

Lidhja Demokratike e Kosovës e vlerësoi të dëmshme dhe ftesën që Kurti iu bëri prokurorëve në zyrën e tij duke thënë se ky është modelli i sjelljes së Lëvizjes Vetëvendosje në raport me drejtësinë.

“Hala më keq se thirret prokurori dhe sjellja e supërmacisë politike dhe epërsia politike e ekzekutivit mbi gjyqësorin, në këtë rast mbi prokurorinë është e papranueshme. Është koncept i gabuar, koncepti i sjelljes së tij është i gabuar dhe nënkupton këndvështrimin e vlerësimin e kryeministrit dhe njerëzve të tij për drejtësinë”, tha Arben Gashi nga LDK.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se përpjekja që ftesa e prokurorisë të shihet si ndërhyrje në zgjedhje nuk qëndron dhe se Kurti nuk është mbi ligjin.

“Askush nuk është mbi ligjin, as zotëri Albin Kurti nuk është mbi ligjin dhe vet deklaratat e tyre se po ftohen në kohë zgjedhjeve që kryeministri të paraqitet për të dëshmuar, nuk qëndrojnë sepse kemi qenë edhe ne deputetë që kemi pasur ftesa nga gjykata për shkak të gazit lotsjellës dhe ju kemi përgjigjur sepse duhet t’i respektojmë organet e drejtësisë”, deklaroi deputetja Time Kadrija.

Kryeministri Albin Kurti u ftua në cilësinë e dëshmitarit për rastin e njohur si “rezervat shtetërore” por për shkak të udhëtimit të tij jashtë vendit nuk erdhi për të dëshmuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë