Kosova

Mark Rutte për sulmin në Ibër-Lepenc: Përgjegjësit të vihen para drejtësisë

Nga Gazeta 'Si'- Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka bërë thirrje të hënën që përgjegjësit e sulmit kundër kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në veri të Kosovës muajin e kaluar, të sillen para drejtësisë.

“Sulmi në kanalin ujor në veri të Kosovës, më 29 nëntor, nënvizon se sa i brishtë është stabiliteti në Ballkanin Perëndimor”, tha Rutte gjatë një konference shtypi me kryeministrin e Malit të Zi, Millojko Spajiq, në Bruksel.

Shpërthimi i 29 nëntorit në kanalin e ujit në Varragë të Zubin Potokut - prej nga furnizohen me ujë disa qytete - u shkaktua nga rreth 20 kilogramë eksplozivë, sipas autoriteteve kosovare, të cilat e cilësuan atë si më të rëndin në infrastrukturën kritike të vendit që nga lufta e viteve 1998/99.

Autoritetet kosovare janë duke e hetuar shpërthimin, për të cilin e akuzojnë Serbinë. Serbia i ka mohuar akuzat dhe ka thënë se edhe vetë ajo po e heton këtë sulm.

Rutte tha se “tani është thelbësore që të nxirren faktet” rreth sulmit dhe përgjegjësve të mundshëm.

Ai theksoi se dëshiron ta falënderojë komandantin e KFOR-it për “dislokim të shpejtë” të trupave për të mbrojtur infrastrukturën kyçe të Kosovës.

“Mbetemi të përkushtuar që të sigurojmë që KFOR-i të përmbush mandatin e tij të OKB-së”, theksoi Rutte.

KFOR – i cili ka rreth 4.700 ushtarë – është përgjegjësi i tretë për sigurinë e Kosovës, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, EULEX.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë