Gazeta Si- Pas 3 orësh shqyrtim, GJKKO vendosi të shtyjë seancën paraprake për dosjen “Partizani” për në 6 janar të vitit tjetër.
“Sot vijoi seanca dhe kjo seancë deri tani ishte seancë për paraqitjen nga ana e prokurorëve për paraqitjen e rezultateve paraprake. E njëjta vjershë. Ai foli pa referencë. Kërkuam të na faktojë faktin penal dhe të na individualizonte provat për subjektet. Seanca është shtyrë më 6 janar në orën 11:30”, – tha avokati i ish-kryeministrit Sali Berisha, Genc Gjokutaj.
Avokati u shpreh se Berisha nuk do të kërkojë gjykim të shkurtuar.
“Ne do të vazhdojmë gjykimin, themelin, sepse ne tashmë fillojmë mbrojtjen tonë përpara gjykatës që do të jetë në dyer të hapura në prani të medias dhe njerëzve të interesuar. Ne do ta sqarojmë për aq sa na takon çështjen. Gjykimi i shkurtuar për zotin Berisha është i përjashtuar”, tha Gjokutaj.
Kjo është seanca e tretë që shtyhet për shkak të volumit të çështjes. Gjithsej janë 333 faqe dosje hetimore, të cilat duhet të shqyrtohen nga avokatët mbrojtës për të dhënë argumentet e tyre përballë gjykatëses Flojera Davidhi sa i takon çështjes.
Nëse gjyqtarja do të bindet që SPAK ka prova dhe fakte, mund të vendosë kalimin e çështjes për gjykim. Në rast se gjykata nuk do të arrijë të bindet për faktet dhe provat e prokurorisë, por nga ana tjetër mund të bindet nga faktet e avokatëve mbrojtës, ka të drejtë ligjore të pushojë çështjen.
Nëse gjykata çmon se nuk janë kryer të gjitha veprimet hetimore, mund ta kthejë çështjen për rihetim në SPAK, duke i përcaktuar dhe detyra konkrete që duhen kryer.
Sali Berisha, i liruar para pak javësh nga masa e “arrestit shtëpiak”, është marrë i pandehur për “korrupsion pasiv” për aferën e provatizimit të klubit sportiv “Partizani”.
Ndërsa dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, i cili ndodhet në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, akuzohet për “pastrim parash dhe korrupsion pasiv”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.