Nga Gazeta Si- Gjatë dy javëve të fundit, dhjetra prindër dhe pjestarë të stafeve pedagogjike të Vlorës kanë kontaktuar Policinë, pas shqetësimeve dhe informacioneve mbi aktivitetet dhe sigurinë e fëmijëve të tyre. Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Elidon Çela, në një konferencë për shtyp tha se janë fëmijë kryesisht të moshave 12 deri në 18 vjeç.
“Këto informacione kanë qenë të vlefshme dhe kanë ndihmuar në orientimin e veprimeve tona parandaluese”. Një shembull konkret që përmendi drejtori është rasti i një 14-vjeçari, ku, falë informacionit të siguruar, ditën e djeshme është bërë e mundur që, nëpërmjet një fotografie të gjetur në celularin e tij dhe pas një pune me psikolog, prind dhe punonjës social, të gjendej e fshehur në një motomjet pranë një banese një armë zjarri pistoletë me rreth 130 copë fishekë luftarakë, të cilat i kishte fshehur ky 14-vjeçar.
“Nga ana jonë vijon puna intensive për të identifikuar personin që ia ka dhënë armën këtij 14-vjeçari, i cili u arrestua për armëmbajtje pa leje”, tha Çela.
Drejtori i Policisë Vlorë fton të gjithë qytetarët që të vazhdojnë denoncimet për rastet e paligjshmërisë.
Babai i 14-vjeçarit të mitur që u kap me pistoletë dhe fishekë në Vlorë, B. T., në një deklaratë për mediat, u shpreh se djali i tij, së bashku me shokët e kanë gjetur armën në një objekt të pabanuar.

Sipas tij, adoleshentët kanë krijuar një video me armën për ta shpërndarë në platformën TikTok dhe më pas e kanë fshehur. Ai shprehet se kur ka parë videon, ka kontaktuar me drejtuesit e shkollës 9-vjeçare “Rilindja” dhe me punonjësit e policisë.
“Informacionin policisë ia kam dhënë unë, marr shkas nga një video e djalit tim me shokët në mal me pistoletë. Kishte një problem tjetër në shkollë, ku qarkullon një lojë, ku hedhin një shok dhe e presin dhe videot i nxjerrin në TikTok. Është lojë e rrezikshme dhe për këtë arsye, unë isha në një mbledhje me drejtoreshën, mësuesen kujdestare dhe një psikologe. U thashë që kam parë një video, por nuk isha i sigurt nëse pistoleta ishte e vërtetë apo lodër. Ne u takuam me punonjësit e policisë në shkollë, ata panë videon me djalin dhe kuptuan se nuk ishte pistoletë lodër. Pistoletën e kanë gjetur në një objekt të pabanuar. E kanë marrë, kanë shkuar në mal, kanë bërë video në TikTok dhe më pas e kanë fshehur. Kishin gjetur edhe tre karikatorë. Djali nuk ka pasur probleme më parë, vetëm zënka në shkollë, se 14 vjeç“, u shpreh ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




