Nga Gazeta 'Si'- Ndërsa debati dhe presioni politik në Shkup dhe këtej kufirit sa vjen e zgjerohet, Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut vendosi të shtyjë seancën për Ligjin e gjuhëve për një datë të pacaktuar.
Në këtë seancë, pritet të marrin pjesë ekspertë të fushës dhe përfaqësues të partive politike, të cilët do të paraqesin argumentet e tyre lidhur me kontestimin e Ligjit për gjuhët.
Propozimi për shtyrjen e seancës u bë nga gjykatësja e Gjykatës Kushtetuese, Elizabeta Dukovska, e cila është përgjegjëse për këtë çështje. Kundër këtij vendimi ishte gjykatësja Dobrilla Kacarska, e cila e theksoi se gjykata duhet të jetë ajo që jep fjalën përfundimtare.
Ky ligj i cili buron nga Marrëveshja e Ohrit, i miratuar në vitin 2018 për dygjuhësinë parashikon që gjuha shqipe të jetë zyrtare jo vetëm në komunat me të paktën 20% të popullsisë shqiptare, por edhe në nivel kombëtar.
Dy nga gjyqtarët shqiptarë e bojkotuan
Seanca në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin e Ligjit për gjuhët filloi me mungesën e dy gjykatësve shqiptarë, Osman Kadriu dhe Naser Ajdari, duke e bojkotuar procesin.
Nëpërmjet bojkotit, Kadriu dhe Ajdari synojnë të bllokojnë nisjen e procedurës për këtë ligj. Kjo lidhet me një konkluzion të miratuar nga Gjykata Kushtetuese gjatë viteve 2022 dhe 2023, që kërkon pjesëmarrjen unanime të të gjithë anëtarëve për procedurat që kanë të bëjnë me Ligjin për gjuhët, Marrëveshjen e Prespës dhe Ligjin për komunikime elektronike.
Të martën, zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, i cili vjen nga koalicioni shqiptar VLEN, siguroi gjatë një konference për shtyp, se Ligji për gjuhët “nuk do të preket”.
“Ne, si VLEN, thamë se ligji nuk do të preket, Gjykata Kushtetuese e vërtetoi këtë. Ka dalë dokumenti që nuk preket as Ligji për gjuhët, po as përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe. Të njëjtën e tha edhe kryeministri, si dhe kryetarja e shtetit", deklaroi Mexhiti.
Më herët, gjatë javës së kaluar, Mexhiti kishte njoftuar se gjyqtarët shqiptarë në Gjykatën Kushtetuese do ta bojkotonin seancën e 11 dhjetorit, dhe me këtë, sipas tij, “vendimi nuk mund të kishte legjitimitet”.
“Është prononcuar edhe kryetari që duhet të marrin pjesë të gjithë gjykatësit dhe nëse dikush mungon, atëherë nuk ka legjitimitet vendimi”, kishte thënë Mexhiti më 6 dhjetor.
Ali Ahmeti para gjykatës: Të mos merren vendime të njëanshme
Përpara Gjykatës sot, Kreu i BDI-së Ali Ahmeti, së bashku me liderët tjerë të Frontit Europian deklaroi se ndodhej aty për “mbrojtje të gjuhës shqipe”.
Ahmeti kërkoi që gjykatësit kushtetues të mos marrin vendime të njëanshme. Ai bëri thirrje që të ruhet bashkëjetesa dhe demokracia në vend.
“Të punojmë të gjithë bashkë që paqja të avancohet, e jo të rrënohet. Do të doja që këtu të kishte edhe intelektual nga bashkëqytetarët maqedonas, si dhe popullatë. Ne asnjëherë nuk kemi kontestuar gjuhën dhe kulturën e tyre, çdo herë kemi tentuar t’i mbrojmë vlerat e tyre dhe tonat. Ne duam që vendi ynë të jetë në paqe, i integruar në BE, pa probleme me gjitha vendet fqinje dhe mirësi të përhershme me gjithë popujt e Ballkanit.
E kaluara nuk duhet harruar sepse me atë të kaluar kemi vuajtur të gjithë bashkërisht dhe sot sërish të ngriten çështje që janë mbyllur me një dokument dhe marrëveshje të dakorduar në mes shqiptarëve dhe maqedonasve, pra Marrëveshjen e Ohrit. Këtij dokumenti sa duhet t’i dalim zot ne, po aq duhet t’i dalin zot të gjitha institucionet në RMV, sepse i dha fund luftës dhe i hapi shtegun paqes e dialogut. Prandaj kujdes mos e rrezikoni të ardhmen e të rinjve dhe të rejave, neve na duhet e ardhmja jo e kaluara, pasi e kaluara është e dhimbshme për të gjithë ne.
Ne nuk kërcënojmë asnjë, duam lirinë tonë, duam që dinjiteti ynë të mos na poshtërohet. Duam që mos të bëhet patriotizëm me çështje të ndjeshme dhe të bëhet fushatë me fjalor anti-shqiptar. I lus gjykatësit të mos marrin vendime të njëanshme dhe selektive, pasi nuk i bënë mirë demokracisë e as bashkëjetesës. Marrëdhëniet ndëretnike janë çelësi i stabilitetit”, tha mes tjerash Ahmeti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.