Gazeta Si – Shtyhet seanca ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, i akuzuar për “shpërdorim detyre” për trgjedinë e Gërdecit.
Shkak u bë mungesa e dy avokatëve të ish-ministrit, Ardian Visha dhe Henrik Ligori. Por gjykata i gjobiti të dy ata me 5 mijë lekë të reja, për shkak se mbrojtësit ligjorë të Mediut kërkuan ekspertët ushtarakë në seancën e kësaj të mërkure.
Njëri nga ekspertët, Fatmir Bozdo, në moshën 72-vjeçare me probleme shëndetësore, u paraqit ditën e sotme dhe i tha gjykatës se nuk mund të paraqitet një here tjetër për shkak të gjendjes shëndetësore.
Ky i fundit deklaroi për togat e zeza, se i qëndron akt ekspertimit të bërë pas shpërthimit në Gërdec. Seanca e radhës u caktua në datë 18 dhjetor ora 09.00.
Avokatët e Mediut kundërshtojnë akt ekspertimin e bërë në 2008, duke e konsideruar si me të meta në përmbajtjen e tij dhe se procesi i demontimit dhe çmilitarizimit është bërë mbi llogaritje jo të vërteta. Shifrat sipas avokatëve të Mediut, kanë përmbajtje të rremë.
Ata kërkojnë që të merret si provë një ekspertizë private, e përgatitur nga ana e tyre dhe të bëhet pjesë e fashikullit një memo me kundërshtimet e tyre.
Ish-ministri i Mbrojtjes akuzohet se ka shpërdoruar detyrën në procedurat për ngritjen e fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec.
Akt-ekspertimi në atë kohë tregon se shtetit iu shkaktua një dëm prej 59 mln lekësh, pasi nuk ishte përllogaritur transporti i municioneve.
Mediu po gjykohet për dy akuza, atë të “Shpërdorimit të Detyrës” dhe “Shpërdorim i detyrës në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues”. Ish-ministri ka mohuar akuzat ndaj tij, duke u shprehur se gjatë detyrës ka zbatuar gjithnjë ligjin.
Nga shpërthimi në Gërdec më 15 mars 2008 humbën jetën të paktën 26 persona e u plagosën qindra të tjerë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.