Politike

Falja e gjobave për ndërtimet pa leje/ Po ata që kanë paguar? Deputetja e PS-së: S’është nismë elektorale, është korrigjim!

Nga Gisela Troplini - Një draft i propozuar nga socialistët synon të rregullojë një “gabim” të bërë nga vetë ata një dekadë më parë. Depozituar tashmë në Kuvend, projektligji parashikon faljen e të gjitha gjobave në zonat rurale për shtesa në banesën e tyre apo në objektet që ata përdorin për prodhimet bujqësore dhe blegtorale.

Në pamundësi për t’u shqyrtuar gjatë seancës plenare për shkak të përplasjeve me demokratët, projektligji ngriti pikëpyetje që nuk marrin përgjigje as në dokumentin e depozituar në Kuvend.

Në një komunikim me Gazetasi.al, deputetja socialiste Pranvera Resulaj tregoi më shumë për nismën e PS-së, duke theksuar se është një “korrigjim” i qeverisë, pas një mase disporporocionale të marrë disa vite më parë.

“Për shkak të ndërtimeve masive pa leje, rreth 450 mijë ndërtesa, u vendosën gjoba për të ndaluar revanshin, në shtesat e ndërtesave familjare. Gjobat shkojnë deri në 500 mijë lekë dhe janë prekur qytetarë në zonat rurale që nuk i përfitojnë këto të ardhura, prandaj disporporcionale dhe ne po e korrigojmë”, sqaron Resulaj.

Pranvera Resulaj, Deputete e Partisë Socialiste të Shqipërisë, Qarku Vlorë

Duke kundërshtuar narrativën e kolegëve demokratë se falja po bëhet me qëllime elektorale, deputetja Resulaj rikujton se nisma ka më shumë se 1 vit që po diskutohet.

“Në vitin 2021, ka qenë vlera më e lartë e gjobave të vendosura për shtesat pa leje, 1.4 mld lekë dhe ky ka qenë një vit zgjedhor. Bie në kundërshtim me akuzën e opozitës se përndryshe nuk do të kishte penalitete. Sigurisht edhe deputetët duan që në fund të mandatit të kenë çuar deri në fund nismat e tyre”, shprehet deputetja e grupit të PS-së.

Znj.Resulaj tregon për Gazetasi.al se në total janë 2.5 mld lekë gjoba të raportuara, por nuk ka të dhëna sa prej tyre janë ekzekutuar dhe se çfarë do të ndodhë me to.

“Kjo është shifra totale, por nuk mendoj se ka shumë të ekzekutuara. Gjatë analizave të mëvonshme do të dalë. Deri tani nuk mund të them se do të ketë një kthim të parave për ata që kanë paguar gjobat, pasi në eksperiencat e kaluara nuk ka ndodhur. Nuk e di nëse do të ketë diskutime në këtë drejtim”.

Gjatë seancës së të enjtes së 5 dhjetorit, deputetët e Partisë Demokratike nuk lejuan prezantimin e kësaj nisme që u fut me procedurë të përshpejtuar, duke akuzuar se ky projektligj ishte nisur me “SMS” dhe se nuk ishte depozituar sipas procedurave të Kuvendit. Debatet politike u përshkallëzuan në sulme personale duke i dhënë fund dhe seancës plenare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë