Gazeta Si – Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar në rrjetet sociale në lidhje me kontrollin që ka ushtruar BKH (me urdhër të SPAK) në banesën e tij mëngjesin e kësaj të premte, duke u shprehur se hetimet e Prokurorisë së Posaçme ndaj tij janë të mirëpritura.
Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Veliaj thekson se hapat procedurialë po merren nga Prokuroria e Posaçme në lidhje me hetimin pasuror ndaj tij dhe familjarëve të kryebashkiakut. Këto hetime, për kreun e Bashkisë Tiranë jo vetëm që janë të mirëpritura, por thotë se i mbështet në çdo hap.
“Duke marrë shkas nga zhvillimet e ditës së sotme, hapat procedurale të kryera nga Prokuroria e Posaçme në lidhje me hetimin pasuror që po kryhet ndaj meje dhe familjarëve të mi, jo vetëm janë të mirëpritura, por edhe i mbështes në çdo hap“, shkruan Veliaj.
Duke marrë shkas nga zhvillimet e ditës së sotme, hapat procedurale të kryera nga prokuroria e posaçme në lidhje me hetimin pasuror që po kryhet ndaj meje dhe familjarëve të mi, jo vetëm janë të mirëpritura, por edhe i mbështes në çdo hap.
— Erion Veliaj #B40Presidency 🇪🇺🇦🇱 (@erionveliaj) December 6, 2024
U bë një kohë e gjatë që hetimin dhe…
Më tej, kryebashkiaku i Tiranës thotë se hetimin ndaj tij e bëjnë ata që i quan “opozitarë të zhytur në llumin e korrupsionit dhe të media”, që luftojnë çdo zyrtar e funksionar publik që nuk bie pre e presioneve dhe shantazheve të tyre për përfitime të padrejta”.
Kreu i Bashkisë Tiranë thekson se ai dhe familjarët e tij do të jenë gjithmonë të hapur për çdo veprim dhe vendim të institucioneve të drejtësisë.
“Familjarët e mi dhe unë, si qytetar i këtij vendi, por njëkohësisht edhe në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, do të jemi gjithmonë të hapur për çdo veprim dhe vendim të institucioneve të drejtësisë, por duke përbuzur njëkohësisht me neveri çdo të pavërtetë, që ka si qëllim dëmtimin e imazhit tim dhe familjarëve të mi, si dhe duke përhapur, mbi të gjitha, disinformacione edhe mbi vetë punën e këtyre institucioneve“, shkruan Veliaj.
Në reagimin e tij, kryebashkiaku i Tiranës shton se nuk bën pjesë në kastën e vjetër politike, për të cilën thotë se për shumë kohë e vendosën veten mbi ligjin, mbi drejtësinë dhe mbi llogaridhënien institucionale.
“Të gjithë këta që i kanë borxhe drejtësisë, rrokin flamurin e përkrahjes së drejtësisë kur në përputhje me ligjin dhe vendimet e gjykatave kryhen veprime procedurale në kuadër të hetimeve dhe e sulmojnë atë me çdo mjet tashmë që drejtësia ka filluar të veprojë mbi ta, duke thyer kështu tabunë shumëvjeçare të mosndëshkueshmërisë.”
Më herët, SPAK shpërndau një njoftim zyrtar në të cilin sqaroi se ka kryer veprimet hetimore, në bazë të një procedimi penal të regjistruar, pa specifikuar emra dhe duke thënë se nuk mund të bënte të ditur më shumë detaje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.