Kosova

BE: Serbia nuk ka bërë mjaftueshëm ndaj përgjegjësve për sulmet në veri të Kosovës

Nga Gazeta ‘Si’ – Bashkimi Evropian do të përsërisë thirrjen për Serbinë që “urgjentisht” të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit për dhunën në veri të Kosovës gjatë vitit 2023 dhe të bashkëpunojë plotësisht rreth këtyre rasteve.

Kjo thirrje pritet të jetë pjesë e konkluzioneve për zgjerim, që flet për Serbinë, e që priten të miratohen më vonë gjatë këtij muaji në Këshillin e çështjeve të përgjithshme të BE-së.

Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në draftin e këtyre konkluzioneve, në të cilat po ashtu i bëhet thirrje Serbisë që të përmbahet nga retorika nxitëse dhe hapat e njëanshëm dhe provokues.

“Këshilli përsërit dënimin e fuqishëm të akteve të dhunës nga protestuesit serbë të Kosovës ndaj qytetarëve, trupave të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë KFOR-it, organeve të rendit dhe mediave më 29 maj 2023 dhe sulmet e dhunshme ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator 2023 në veri të Kosovës. Nuk ka arsyetim për dhunë”, thuhet në draftin e konkluzioneve që u është shpërndarë vendeve anëtare të BE-së.

“Këshilli përsërit thirrjet që Serbia të bashkëpunojë plotësisht dhe të ndërmarrë hapat e domosdoshëm që të sillen urgjentisht para drejtësisë kryesit e sulmeve të vitit 2023. Këshilli nënvizon nevojën për llogaridhënie të plotë dhe shpreh keqardhje të thellë që Serbia ka ndërmarrë hapa të pamjaftueshëm në këtë drejtim”, thuhet në dokument.

Nga dhjetori i vitit 2021 Serbia nuk ka hapur asnjë kapitull në procesin e anëtarësimit në bllokun evropian. Por, një numër i konsiderueshëm i shteteve anëtare as kësaj here nuk kanë dhënë pëlqim për hapjen e kapitujve me Serbinë.

Si arsyetim për mosdhënien e pëlqimit për hapjen e kapitujve të rinj me Serbinë diplomatët evropianë kanë përmendur mungesën e përparimin në fushën e sundimit të ligjit, në normalizimin e raporteve me Kosovën dhe refuzimin e Beogradit që të mbështesë sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, për shkak të luftës kundër Ukrainës./ Marrë nga REL


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë