Kosova

Kurti nis takimet në Bosnje, Komshiç: E falënderojmë që hoqi vizat, s’kemi pse e pyesim Dodikun

Nga Gazeta ‘Si’ – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës që po zhvillon në Bosnjë dhe Hercegovinë është takuar me dy anëtarë të Presidencës, boshnjakun Denis Beqiroviç dhe kroatin, Zhelko Komshiç.

Ky i fundit ka deklaruar që pati një takim me Kurtin ku tha se e ka falënderuar për veprimin e njëanshëm të Kosovës për heqje të vizave qytetarëve të Bosnjës, duke thënë se pikërisht për këtë është “lëvizje e jashtëzakonshme” nga Kosova.

“Faleminderit Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, për vendimin për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës. Ne e vlerësojmë një lëvizje kaq të jashtëzakonshme të njëanshme dhe për këtë arsye të pazakontë. Kjo lëvizje sigurisht që do të kontribuojë në një lidhje më të mirë mes qytetarëve të Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës, si dhe në rritjen e shkëmbimit të mallrave të ndërsjella”, u shpreh Komshiç.

Ai foli ndër të tjera edhe për kundërshtimin e vizitës së Kurtit në Bosnjë nga ana e Republikës Srpska dhe kryetarit të saj, Milorad Dodik.

“Lidhur me kritikat e supozuara për vizitën e Kurtit dhe takimet që ai ka në Bosnje dhe Hercegovinë, të cilat vijnë nga Republika Srpska si dhe nga rajoni, ju kujtoj se RS nuk është subjekt i së drejtës ndërkombëtare dhe se RS nuk është kompetente për të lëshuar viza për hyrje në Bosnje-Hercegovinë, si dhe se anëtarët e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës me siguri nuk do ta pyesin Dodikun, apo dikë tjetër, se me kë do të takohemi dhe çfarë do të diskutojmë”, deklaroi Komshiç.

Ai tha se këto kritika janë tentativa për mohim të sovranitetit të vendit të tij.

“Ne i perceptojmë kritikat që vijnë nga vendet e rajonit si një tjetër dëshmi evidente e tentativave për të mohuar sovranitetin e Bosnjë-Hercegovinës dhe presion ndaj organeve dhe institucioneve sovrane të vendit tonë në drejtimin e politikës së jashtme”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë