Politike

Ligji surprizë i qeverisë për faljen e gjobave për ndërtimet pa leje në fshat, përplasje PD-PS, Noka: Po e përdorni për zgjedhje. Balla: Votojeni!

Nga Gazeta 'SI' - Një propozim i deputetëve socialistë për të falur gjobat e ndërtimeve pa leje nëpër zonat rurale, solli tension në Kuvend, ku deputetët demokratë bllokuan edhe foltoren.

Deputetët e PD e akuzuan kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali se i merr ligjet me “sms” dhe jo sipas procedurave të depozitimit.

Gazment Bardhi akuzoi se pr/ligji nuk ishte depozituar më parë dhe se në dorë kryetarja kishte vetëm një letër të bardhë teksa priste një kopje të draftligjit.

Deputeti Bardhi tha në foltore se gjobat nuk po i shfuqizon qeveria, por i ka shfuqizuar Gjykata Kushtetuese në vitin 2022, për punimet pa leje për nevojën për strehim.

Gjatë një momenti tensioni Bardhi pati një përplasje me Erion Braçen, iniciator të këtij ligji dhe nuk e lejoi atë të prezantonte draftin, që u dërgua në Kuvend vetëm pak minuta para seancës.

Deputeti Flamur Noka tha se ky ligj është një propozim me qëllime elektorale nga ana e qeverisë.

“Më thuaj zonjë, a mos vallë ujku është veshur me lëkurën e qengjit? A ishit ju që ju thoshit shqiptarëve se koha e pandëshkueshmerisë ka marrë fund? Që burgosët 38 mijë shqiptare pse riparuan një dritare apo një kotec pulash? Tani që po vijnë zgjedhjet, u thoni shqiptarëve që këta përbindësha, këta ujqër të tërbuar kanë veshur lëkurën e deles, sepse ju duhen vota”, tha  deputeti Noka.

Deputetja Dhurata Çupi e quajti këtë situatë si një përpjekje e mazhorancës për të marrë zgjedhjet në tavolinë dhe për të deformuar rezultatin zgjedhor.

Pas fjalës së saj, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, u shpreh se opozita është kundër çdo propozimi të qeverisë. Manja akuzoi demokratën se po dezinformojnë biznesin.

“Ju jeni kundër edhe për faljen e gjobave, por edhe për të sabotuar procesin e integrimit. Zonja Tabaku pres nga ti që t’i përgjigjesh zonjës Çupi se ligji për mbrojtjen e të dhënave personale ka tre vite që i diskutohet diskutimit dhe konsultimit publikut. Dhe është i pari që do të votohet në këtë parlament. Ato gjoba janë aty në rregulloren e BE, mos spekuloni, çdo gjë e mirë që ne bëjmë është e kuptueshme që nuk ju vjen mirë, do të rrini edhe pas majit 2025 ne do të rrimë edhe pas majit 2025, shqiptarët e dinë kush punon për integrimin edhe kush punon si qyqe kundër. Keni marrë përsipër të dezinformoni biznesin, për turpin tuaj keni ngritur ca shoqata anonime biznesi për të bllokuar një ligj shumë të rëndësishëm që është një nga liget kryesore në negociatat për grup themeloret, doni të sabotoni procesin e negociatave për kapitullin 23”, tha Manja.

Ai i bëri thirrje demokratëve t'a votojnë draftin e PS-së, për të ndihmuar qytetarët para fundit të vitit.

"Do të anullojmë gjobat e paekzekutuara ndër vite, ata s'i kanë paguar, por ligjin e kanë shkeluar ama. Bashkohuni me ne para vitit të ri", përfundoi Manja.

Të paqartë për projektligjin e ri, ministri Taulant Balla i tregoi deputetëve se bëhet fjalë për falje të gjobave për ndërtime pa leje në një avllie, çatie apo muri mbajtës dhe ftoi demokratët ta votojnë draftin e ri.

“Edhe kolegë të opozitës në shumë raste kanë ngritur jë shqetësim të qytetarëve lidhur me disa raste apo shumë raste të penalizimit të padrejtë, për ndërtime që kanë të bëjnë me një riparim çatie, me një mur mbajtës të një shtëpie, të një avllie. Në këtë kontekst deputetë të PS-së,…ajo që po thotë kryetarja e Kuvendit me shumë të drejtë, është që në fund të seancës pasi të shpërndahet te të gjithë deputetët drafti i propozuar…nuk ka asnjë shkelje të rregullores. Ju jeni kundër kësaj nisme? Kundër kësaj nisme do shpreheni pas dy javësh. Sa i përket procedurës është shumë e qartë. Unë të isha në opozitë do ngrija dy kartona, jo një. Kjo është diçka që lidhet drejtpërdrejt me qytetarët”, shpjegoi ministri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë