Gazeta Si - SPAK ka marrë të pandehur, deputetin e Partisë Demokratike, Asllan Dogjani për akuzën e fshehjes dhe mos deklarimit të pasurisë.
Bëhet fjalë për një apartament të blerë nga deputeti Dogjani në vitin 2006, që sipas SPAK e ka paguar me 122 mijë euro cash dhe është përpjekur që të fshehë burimin e të ardhurave.
Apartamenti me sipërfaqe 128.4 m2 në rrugën ‘Hamdi Shijaku’ në Tiranë, çoi në Gjykatën e Posaçme ligjvënësin e Partisë Demokratike.
Në njoftimin për mediat, SPAK sqaron se në deklaratën e pasurisë, Dogjani ka deklaruar se apartamentin e ka shlyer me konsulencë, por në fakt hetimet kanë zbuluar se e ka paguar cash.
"Më 24 mars 2010, në deklaratën e interesave private para fillimit të detyrës pranë ILDKPKI, deklaroi se kishte përfituar një apartament banimi me sipërfaqe 128.4 m2, i cili ndodhet në rrugën “Hamdi Shijaku” në Tiranë, nga shoqëria e ndërtimit “Protial”, në këmbim të konsulencave juridike që i kishte ofruar dhe do t’i ofronte në të ardhmen. Në mbështetje të këtij deklarimi, ai paraqiti kontratën, tek e cila, i pandehuri u mbështet sërish edhe në deklarimin e datës 16 Qershor 2023, pas zgjedhjes së tij si deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë", - thotë SPAK.
Ndër të tjera, Prokuroria e Posaçme bën me dije se në ndryshim nga deklarimet e bëra, hetimet e këtij procedimi penal treguan Dogjani është bërë pronari i apartamentit të lartëpërmendur, në të cilën parashikohej se vlera e apartamentit do të ishte 121.980 euro, shumë të cilën i pandehuri ia ka likuiduar shoqërisë, përmes pagesave cash.
“Nga provat shkresore dhe ato të paraqitura nga dëshmitarë, rezulton se kontrata e datës 6 dhjetor 2006 mban të njëjtin numër rep. dhe kol. si ajo e datës 6 shtator 2006, por me ndryshimin e mënyrës së përfitimit të këtij apartamenti. Kjo tregon se kontrata është hartuar në mënyrë fiktive me qëllim deklarimin e rremë të burimit të krijimit të pasurisë së paluajtshme”, vijon SPAK.
Gjyqtarja Rudina Palloj do të vendosë në seancë paraprake nëse do pranojë kërkesën e SPAK për të kaluar dosjen për gjykim ose jo.
Në një dalje të tij për mediat, Dogjani ka pohuar se kallëzimi u bë nga ndërtuesi Ilrijan Çelaj, të cilin ai e quan 'zaptues' pasi më parë e ka paditur për grabitjen e hapësirës publike para pallatit ku banon duke e kthyer në parkim me pagesë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.