Gazeta Si - Në Komisionin e Monitorimit të AP të Këshillit të Europës, Altin Dumani u shpreh nga Kuvendi se një nga shtyllat e suksesit ka qenë bashkëpunimi ndërkombëtar.
Sipas kreut te Prokurorisë së Posaçme, nga data e krijimit të SPAK deri tani janë sekuestruar një total prej 150 mln euro asete.
Dumani, gjatë aktivitetit të zhvilluar në sallën e Parlamentit, ka theksuar se shumë zyrtarë të lartë nga hetimet kanë rezultuar të lidhur me organizitat kriminale.
“Krahas ushtrimit të ndjekjes penale, në fokus të SPAK është edhe identifikimi dhe konfiskimi i produkteve te veprës penale si për subjekte që janë ndjekur penalisht për veprën penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Nga data e krijimit të SPAK deri ditën që flasim kemi sekuestruar një total asesh 150 mln euro”, tha Dumani.
Sipas tij, nga hetimet ka rezultuar që zyrtarë të lartë kanë lidhje me krimin organizuar. Lufta kundër këtij fenomeni, u shpreh Dumani, nuk mund të kryhet e vetme.
“Një shtyllë e suksesit të SPAK ka qenë bashkëpunimi ndërkombëtar. Në të gjitha hetimet tona ku në fokus ka qenë krimi i organizuar kemi gjetur lidhje të këtij të fundit edhe me zyrtarë të cilët janë korruptuar apo janë bërë pjesë e grupeve të krimit të organizuar. SPAK nuk mund të luftojë i vetëm korrupsionin dhe ka nevojë për bashkëpunim. I kemi bërë thirrje dhe shprehim gatishmërinë për bashkëpunim”, tha kreu i SPAK.
Ndërkohë, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja në fjalën e tij tha se lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar është prioritet.
Manja shtoi se puna e SPAK flet qartë me figura të larta politike të hetuar e të pandehur, ndërsa theksoi se askush nuk është mbi ligjin.
"Një risi e reformës ishte krijimi i SPAK. Është kthyer sot në model suksesi në luftë ndaj korrupsioni dhe krimit. Është ndër institucionet më të besueshme. Rezultatet e punës flasin qartë. Dua të sjell në vëmendje që SPAK ka në hetim dhe ka ulur në gjykim figura të njohura, ish presidentë, ish kryeministra, ministra dhe deputetë dhe zyrtarë. Pasuritë e zyrtarëve po sekuestrohen dhe konfiskohen. Krimi është vënë në shënjestër dhe janë goditur një numër i konsiderueshëm. Mesazhi i qartë askush mbi ligjin dhe çdokush do gjykohet sipas ligjit", tha Manja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.