Gazeta Si - Deputetja e Kuvendit, Monika Kryemadhi ka ankimuar në GJKKO sekuestrimin e 2 vilave te "Kodra e Diellit" në Tiranë.
Pas daljes nga SPAK, në zbatim të vendimit “detyrim paraqitje”, Kryemadhi ka deklaruar se ka ankimuar vendimin për sekuestrimin e dy vilave në pronësi të saj dhe nënës së saj.
“Nuk kemi shpresë nga Gjykata e Apelit. Shikojmë presion haptazi nga SPAK ndaj gjyqtarëve të Apelit. Do e çojmë në Strasburg”, u shpreh ajo.
Kryemadhi, kur u pyet nëse nëna e saj është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme, u përgjigj: “Po. Që kur i kanë bërë kontroll në banesë, i bie që të jetë. Prokuroria ka ndjekur disa trike që nuk e kanë regjistruar si procedime penale, por edhe kur është marrë në pyetje nuk ka pasur avokat, pavarësisht se nuk ka pasur gjë për të fshehur. Në momentin që i është kontrolluar banesa, nuk mund të marrësh në pyetje njeri pa avokat. Por, janë procedura që ne do i ndjekim dhe kjo gjë do të shkojë në Strasburg për shumë shkelje”.
E pyetur për protestën e 6 dhjetorit, të thirrur nga Presidenti i Partisë së Lirisë, ish-bashkëshorti i saj Ilir Meta, Kryemadhi tha se nuk do të jetë në protestën e 6 dhjetorit para SPAK.
“Nuk merrem më me politikë, kam filluar profesion tjetër, mesa duket do të bëhem ndihmëse avokate se me çfarë po lexoj dhe çfarë po shikoj, jam e bindur që të keqen e gjyqtarëve dhe prokurorëve të plepave të Sali Berishës në ‘90”, tha Kryemadhi.
Meta dhe Kryemadhi akuzohen nga SPAK se janë përfshirë në korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.
Rreth 10 ditë më parë, Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK për të bllokuar dy pasuri të paluajtshme të deputetes Monika Kryemadhi dhe nënës së saj, Fatime Kryemadhi.
Përmes një komunikimi zyrtar, SPAK tha se masa e sekuestros preventive është caktuar mbi dy vila 4-katëshe tek Kodra e Diellit në kryeqytet, që përbëjnë 898 m2 sipërfaqe ndërtim në total.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.