Nga Gazeta ‘SI’ – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mbajti një konferencë të jashtëzakonshme pas sulmit në Zubin Potok ku u dëmtua kanali kryesor i Ibër -Lepencit tha se nëse nuk riparohet shpejt rrezikon që një pjesë e vendit të mbetet pa energji elektrike sot.
Ai tha gjatë orëve të para të mëngjesit se ky është një sulm kriminal dhe terrorist.
“Ky është sulm kriminal dhe terrorist që ka synuar ta dëmtojë infrastrukturën tonë kritike dhe ishte tentativë e rrezikimit të furnizimit me energji elektrike. Sulmi është kryer nga profesionist. Ne besojmë se vjen nga banadat e dirigjuara dhe orkestruara nga Serbia, në rastin konkret duke përdorur një sasi të madhe. Nëse dëmi nuk riparohet nje pjesë e Kosovës rrezikon të mbetet pa energji që sot në mëngjes”, tha Kurti.
Kurti u bëri thirrje qytetarëve për qetësi.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla deklaroi se është përdorur rreth 15 kg eksploziv për shpërthimin në kanalin Ibër-Lepenc.
Ministri e ka quajtur aktin terrorist duke u shprehur se u dëmtua seriozisht një pjesë e kanalit të Ibër- Lepencit.
“Një pjesë e kanalit të Ibër-Lepencit u dëmtua seriozisht, nuk dihet ende saktësisht për eksplozivin, por sipas eksperteve të policisë, flitet diku për rreth 15 kg eksploziv”, tha ai. Sveçla shtoi se qëllimi i këtij sulmi është destabilizimi i vendit.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, njoftoi pas mesnate se është mundësuar furnizimi i rregullt me energji elektrike për vendin dhe ngrohje qendrore për qytetarët e Prishtinës, pas shpërthimit ku u dëmtua kanali i ujit Ibër Lepenc.
“Ibër Lepenci, rreth orës 02:00 pas mesnate, në një afat rekord, ka vendosur gjashtë tuba të përkohshëm me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”. Kësisoj, presim që furnizimi me energji elektrike të vazhdojë i pacënuar. Në të njëjtën kohë, jemi koordinuar me Korporatën Energjetike të Shqipërisë për të siguruar energji shtesë për të evituar reduktime eventuale”, ka shkruar ajo.
SHBA e BE dënuan sulmin dhe kërkuan vënien e autorëve para përgjegjësisë. Si pasojë e shpërthimit gjatë natës u ndërpre furnizimi me ujë të pijshëm si dhe energjia elektrike e qeveria arriti të rikthente sot në mëngjes furnizimin e rregullt me energji elektrike për vendin dhe ngrohje qendrore për qytetarët e kryeqytetit, Prishtinë
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.