Ngjarje

Shpërthen murtaja afrikane e derrave në Lezhë? Resuli: Mostrat kanë dalë pozitive

Nga Gazeta Si - Eksperti i blegtorisë, Ervin Resuli ka ngritur alarmin për praninë e Murtajës Afrikane të Derrave (MAD) në vendin tonë. Në një reagim për mediat, ai shkruan se mostrat e marra para dy ditësh kanë dalë pozitivë për MAD ndërkohë që nuk ka asnjë reagim nga Ministria e Bujqësisë apo Autoriteti Kombëtar i veterinarisë.

“Lezha dhe gjithë veriu i Shqipërisë janë në rrezik të zhdukjes së atyre pak fermave të derrave që ekzistojnë, për shkak të përhapjes së kësaj sëmundjeje shkatërruese. Kjo rrezikon jo vetëm sektorin blegtoral, por edhe ekonominë rurale të rajonit”, thotë Resuli, duke shtuar se Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR) duhet te ndërmarr urgjente një sërë masash për të kontrolluar përhapjen e sëmundjes dhe për të mbështetur veterinerët në terren. Këto masa përfshijnë:

1. Izolimi dhe Karantina: Vendosja e fermave nëse ka te prekura nën mbikëqyrje zyrtare dhe kufizimi i lëvizjes së kafshëve dhe produkteve të tyre për të parandaluar përhapjen e sëmundjes.

2. Asgjësimi i kafshëve të infektuara: Eliminimi i kafshëve të infektuara dhe asgjësimi i tyre në përputhje me rregulloret për të shmangur kontaminimin e mjedisit.

3. Dezinfektimi i fermave: Pastrimi dhe dezinfektimi i ambienteve të fermave të prekura për të eliminuar patogjenët e mbetur.

4. Monitorimi dhe vëzhgimi: Kryerja e kontrolleve të rregullta në fermat përreth për të identifikuar raste të reja dhe për të monitoruar efektivitetin e masave të marra.

5. Ndërgjegjësimi i publikut: Informimi i fermerëve dhe publikut mbi rreziqet e MAD dhe masat e nevojshme për parandalimin e përhapjes së saj.

Përhapjen e MAD Resuli e ka denoncuar që ditën e hënë ku nëpërmjet informacioneve nga Shoqata e Gjuetarëve Lezhë, mësohet se në malin e Torovicës janë konstatuar 12 derra të ngordhur (10 të butë dhe 2 të egër).

“Ky është një sinjal alarmi i përhapjes së Murtajës Afrikane të Derrave (MAD), e cila tashmë ka prekur edhe zonat më të ulëta pas rasteve në Kukës dhe Has”, thotë Resuli.

Kjo situatë përbën një rrezik serioz për:

Shëndetin e kafshëve në këtë zonë të populluar.

Ekonomitë e fermave të derrave, të cilat rrezikojnë dëme të pallogaritshme.

Murtaja Afrikane e Derrave (MAD) nuk përbën rrezik për shëndetin e njerëzve, as përmes kontaktit me kafshët e infektuara dhe as përmes konsumit të mishit të derrave të infektuar (nëse mishi do të konsumohej, gjë që nuk rekomandohet).

MAD është një sëmundje shumë ngjitëse dhe vdekjeprurëse vetëm për derrat e butë dhe të egër. Kjo sëmundje nuk transmetohet te njerëzit, por ka pasoja të mëdha ekonomike dhe për sigurinë ushqimore, sepse:

1. Shkakton ngordhje masive të derrave.

2. Dëmton fermat dhe zinxhirët e furnizimit.

3. Pengon eksportet e produkteve të derrit për shkak të kufizimeve të tregtisë ndërkombëtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë