Kosova

Kosova nis procesin për prodhimin e municioneve dhe dronëve. Kurti: Hedhim hapat për ngritjen e industrisë ushtarake

Nga Gazeta 'Si'- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se ka nisur procesin drejt hapjes së një fabrike për prodhimin e municionit dhe për laboratorë për dizajnimin e dronëve.

Në fillim të mbledhjes të së mërkurës të Qeverisë së Kosovës, Kurti bëri të ditur se është nënshkruar vendimi për themelimin e një komisioni ndërministror që ka për qëllim vlerësimin dhe nisjen e këtij procesi.

Ai tha se ky është “një hap i domosdoshëm për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm të ushtrisë”.

“Një ushtri që për një kohë kaq të shkurtër është armatosur kaq shumë sa kjo e jona ka nevojë për ta siguruar e garantuar operacionalitetin e plotë dhe qëndrueshmërinë tërësore. Sot hedhim hapat e parë për ngritjen e industrisë ushtarake”, tha Kurti.

Buxheti për Ministrinë e Mbrojtjes për vitin 2025 është parashikuar të jetë 207.8 milionë euro, apo 54 milionë euro më shumë sesa këtë vit.

Sot në Kosovë shënohet Dita e Forcës, që simbolizon themelimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Kjo forcë u themelua më 1 janar të vitit 2009, pas shpërbërjes së Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë