Ngjarje

Media italiane: Plani B i Melonit pas dështimit me Gjadrin si qendër emigrantësh. Mund ta kthejë në burg për 2800 shqiptarët e dënuar në Itali

Nga Gazeta Si- Strukturat për emigrantët në Gjadër mund të përdoren për një tjetër kategori personash, jo më për emigrantët.

Media italiane, Il Tempo shkruan se e ndodhur mes vendimeve të Gjykatës, Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni “po eksploron rrugë të reja”, duke përfshirë atë të shndërrimit të qendrave shqiptare në burgje për të strehuar të burgosurit e lidhur me mafian shqiptare, të cilët po vuajnë dënimin në Itali.

Sipas Il Tempo, në Itali janë rreth 2800 të burgosur shqiptarë të cilët kanë lidhje me grupet kriminale të Shqipërisë.

Deri më tani, synimi ishte transferimi i emigrantëve nga Afrika, të shpëtuar në ujërat ndërkombëtare, direkt në Shëngjin dhe Gjadër, në pritje të procedurave për qëndrimin e tyre.

“Sot vizioni ka ndryshuar, ku lajmet e fundit raportojnë se i gjithë stafi i qendrës është tërhequr në Itali. Tani mbetet për t'u përcaktuar se si këto vende mund të përdoren në një raport kosto/dobi”, shkruan Il Tempo, duke shtuar se të forcuar nga bashkëpunimet historike tashmë, bisedimet konfidenciale të vazhdueshme kanë të bëjnë me hipotezën e rizhvillimit të qendrave për emigrantët në burgje, në mënyrë që të lehtësohet sistemi italian, i cili është gjithnjë e më i mbushur me njerëz dhe më pak i menaxhueshëm.

“Përballë mbipopullimit të burgjeve të vendit, me përqindje që i kalojnë 130% dhe me gjithnjë e më shumë vetëvrasje të të burgosurve, dalin propozime të arsyeshme për të përdorur zonën e Lezhës për të burgosurit shqiptarë të dënuar në Itali”, shkruan Il Tempo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë