Drejtësia

Masakra e Dobraçit, lirohen 4 policët e vendngjarjes, por pezullohen nga detyra: Nuk e njohim Ibrahim Licin

Gazeta Si - Katër policët e forcave “Shqiponja”, të cilët u ndaluan nga AMP në lidhje me masakrën e 30 tetorit në Dobraç, ku humbën jetën 4 persona, janë liruar.

Gjykata e Shkodrës, vendosi "detyrim paraqitje", "ndalim dalje jashtë shtetit" dhe "pezullim nga detyra" për Blerim Kurmekaj, Viktor Logu, Julian Sterkaj dhe Marta Martini, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre.

Policët akuzohen pasi nuk kanë respektuar procedurën standarde të sigurimit të vendit të ngjarjes si dhe nuk kanë identifikuar personat e gjetur në vendin e ngjarjes.

Avokatët mbrojtës nuk kanë qenë dakord me këto masa sigurie ndërsa prokurori Albert Murçaj kërkoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për të dyshuarit. Gjatë seancës katër efektivët kanë dhënë dëshminë e tyre teksa mësohet se kanë deklaruar se ata nuk e kanë njohur se kush është personi i tretë për të cilin flitet dhe nuk e kanë ditur se a ka qenë apo jo në automjet me viktimat dhe nëse ka qenë apo jo i plagosur.

“Ne jemi patrulla e dytë që kemi mbërritur në vendngjarje dhe kur kemi shkuar kemi parë shumë kaos, me shumë persona që ndodheshin aty, rreth 50 vetë. Nuk kemi qenë të planizuar aty, por kemi dëgjuar në radio se ka aksident rrugor dhe jemi nisur për atje. Sapo kemi mbërritur kemi respektuar procedurat standard. Dy vetë kemi bërë rrethimin e vendngjarjes për të bllokuar kalimin dhe dy të tjerë kanë qëndruar aty. Pasi mbërritëm kuptuam se nuk bëhet fjalë për aksident rrugor, por për vrasje me armë zjarri. Menjëherë kemi njoftuar sallën operative dhe ambulancën njëkohësisht. Sapo ka mbërritur ambulanca kemi dhënë ndihmën e parë për të plagosurit që ishin ende gjallë për t’i transportuar drejt urgjencës të spitalit. Personin e tretë që flitet nuk e kemi njohur se kush është. Nuk kemi patur asnjë dijeni nëse është Ibrahim Lici apo dikush tjetër sepse nuk e njohim. Prioritet kemi patur që të rrethojmë vendngjarjen sepse ishte kaos i plotë dhe t’i japim ndihmë të plagosurve që ishin ende gjallë”, mësohet të kenë thënë katër policët e dyshuar që gjykata i liroi.

Në masakrën e Dobraçit ka qenë i pranishëm në mjetin e viktimave edhe një person i tretë, i cili është filmuar nga kamerat, por deri më tani nuk është zbuluar identiteti i tij. Dyshohet se ai është Ibrahim Lici, vëllai i Hamza Licit, një prej viktimave.

Në këtë ngjarje, humbën jetën Hamza Lici e Arlind Bushati, të cilët ndodheshin në makinën që ishte objektiv i autorëve, e po ashtu çifti i bashkëshortëve Bashkim e Flutura Basha, të cilë u ndodhën krejtësisht pa faj në momentin e atentatit.

Atentati me 4 të vrarë në zonën e Dobraçit në Shkodër, i kaloi për hetim SPAK-ut disa ditë më parë. Prokuroria dyshon se krimin e ka kryer një grup i strukturuar kriminal.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë