Gazeta Si - Në një seancë që zgjati vetëm pak minuta, autorit të vrasjes së Martin Canit i është komunikuar masa e sigurisë "arrest në burg" në ambientet e Spitalit të Traumës, ku pas shërimit do të shkojë direkt në qeli.
Gjyqtarja dhe prokurori i kanë shkuar në spital për t'i komunikuar masën e sigurisë 14-vjeçarit me iniciale M.P., ku ndodhet i shtruar prej disa ditësh për shkak të plagës me thikë.
Një ditë më parë, Prokuroria e Tiranës ka ashpërsuar akuzën për autorin e dyshuar të vrasjes së 14-vjeçarit.
Policia e kishte referuar për akuzën e "vrasjes me dashje", por tani prokuroria e akuzon për "vrasje në rrethana cilësuese". Ndaj tij rëndon edhe vepra penale “Prodhimi, mbajtje pa leje e armëve të ftohta”.
M.P., u arrestua një ditë pas ngjarjes në spitalin privat, ku po kurohet për plagën që mori gjatë konfliktit.
Vrasja e adoleshentit ndodhi 200 metra larg shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”. Të dy, si viktima dhe autori ishin nxënës të kësaj shkolle. Rasti ngriti alarmin e sigurisë nëpër shkolla.
Pak minuta pas krimit, në rrjetet sociale autori ka treguar me krenari thikën me të cilin vrau bashkëmoshatarin.
Në video shfaqet dhe dora e tij e fashuar. Këto postime kanë sjellë reagimin e ashpër të opinionit publik dhe shoqërisë.
Nxënësi 14-vjeçar Martin Cani u godit me thikë pranë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” pas një sherri që kishin pasur ditën e premte, i nisur që në ambientet e shkollës.
Sherri ndodhi gjatë pushimit të gjatë mes orëve të mësimit, ndërsa roja e shkollës ka arritur t’i ndajë momentalisht.
Gjithashtu, në këtë sherr mbeti i plagosur me thikë dhe shoku i viktimës, i cili ishte lajmëruar më herët për sherrin. Ai erdhi nga një shkollë tjetër që ndodhet në Sauk.
Mjekët thonë se ai ka një plagë në kraharor dhe ndodhet në gjendje të stabilizuar në Spitalin e Traumës. I plagosur lehtë në dorë mbeti edhe vetë agresori, i cili po trajtohet në një spital privat në Tiranë.
Të paktën 12 vite heqje lirie është maksimumi i dënimit që mund të jepet nga një Gjykatë në vendin tonë, nëse autori i krimit është i mitur.
Dhe kjo, sipas Kodit Penal për të Miturit, nëse ai është nga 14 deri në 17 vjeç. Aplikimi i dënimeve me burgim për këtë moshë bëhet vetëm nëse vepra penale e kryer parashikon një dënim me minimum 7 vite heqje lirie, përcaktim ky që në rastin e vrasjes së nxënësit të shkollës “Fan Noli” plotësohet pasi vepra e kryer kategorizohet tek më të rëndat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.