Ngjarje

‘Institucionet e papërgjegjshme vrasin’. Qytetarët protestojnë para Ministrisë së Arsimit për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani: Të dorëhiqet Manastirliu! (foto, video)

Nga Gazeta 'Si'- Qindra qindra qytetarë kanë mbushur sot rrugët e Tiranës në shenjë protestë pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani duke kërkuar siguri.

Me parullat “Institucionet e papërgjegjshme vrasin”, protestuesit kanë nisur nga shkolla “Fan Noli” marshimin drejt Ministrisë së Arsimit për të bërë përgjegjëse ministrinë.

“Ka dështim të institucioneve në lidhje me ngjarjen. Kjo situatë është në kapitullim. Nga mësuesi, psikologu, mësuesi, e ministria. Ne kemi nevojë për siguri” thotë përfaqësuesi i shoqërisë civile, Migen Qiraxhi.

Ai tha se kjo është një protestë homazh që do të ndalet me kërkesa para ministrisë së arsimit, ku kërkohet rritja e sigurisë së fëmijëve në shkolla; që në shkollë të ketë punonjës të sigurisë, shërbim psikologjik e psikosocial dhe mbështetje më të madhe nga mësuesit.

“Për fat të keq ne që jemi sot këtu kemi ardhur shumë vonë, për të gjitha problemet që në një mënyrë apo në një tjetër ne i dinim.Kemi ardhur por një i ri nuk është më dhe nuk është më pranë familjes së tij. 

Për këtë arsye sigurisht që qytetarët, prindërit, nxënësit që sot janë këtu, duhet të japin një mesazh të fortë e të menjëhershëm. Duhet të ndërgjegjësohemi e të edukojmë fëmijë të denjë. Siguria e fëmijëve tanë nuk pret. Ndaj vendi ynë ka institucione, shkolla duhet të edukojë fëmijët para se siç shohim shpesh të kthehen në vatra votash e punësimesh”, tha Qiraxhi.

“Ngjarja është e rëndë dhe rrezik për çdo fëmijë duke qenë kështu nuk mund të rrimë në heshtje. Nuk mund të japim zgjidhje vetëm për mbylljen e rrjeteve sociale. Institucionet duhet të jenë më të përgjegjshme kjo ngjarje është emergjencë kombëtare. Janë disa raste që fëmijët tanë humbin jetën brenda apo jashtë ambienteve të shkollës. Nuk është justifikim që ndodhi jashtë ambientit të shkollës reagimi i Ministrisë së Arsimit. Duhet emergjencë kombëtare për të rishikuar sistemin arsimor në vendin tonë", deklaroi një prind i pranishëm në protestë.

Protestuesit hodhën bojë të kuqe mbi fëmijët pjesëmarrës në marshim, si edhe në asfaltin para Ministrisë së Arsimit, në gjest simbolik ky kundër vrasjes së fëmijëve.

Me thirrjet "Dorëhiqu", qytetarët kërkuan dorëheqjen e ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu.

Ndërsa pedagogu Xhonatan Pano tha se siguria në shkolla dhe në rrugë duhet të shpallet emergjencë kombëtare.

“Personi këtu prapa duhet të dorëheqet. Nuk mund të vazhdohet më në këtë mënyrë. Nuk mund ti vihet fatura vetëm TikTok e Snap Chat. Nuk mund ti vihet fatura reperave që nxisin dhunë, por dhe këtyre që për 11 vite nuk na kanë përfaqësuar por nuk ndërtuan  një sistem arsimor të drejtë e të duhur e të sigurtë. Me besim në Zot të gjithë duhet të jemi së bashku për ta ndërtuar këtë shoqëri."

Ai kishte dhe një mesazh për adoleshentët.

"Kam një mesazh për të gjithë fëmijët, 13, 14, 15 vjeç që shohin veten e tyre gangster. Nuk je gango se po pi bar cepave. Nuk je gango se futesh në shkollë me doreza hekuri! Nuk je gango se mban thika e kërcënon në Snap Chat, TikTok e Instagram.

Do të jesh gango? Ik ndihmo babin që po punon gjithë ditën të të çojë ty në shkollë, kurs. Po punon të të edukojë e arsimojë e të të çojë në futboll." tha Pano.

Një ditë më parë kryeministri Rama njofton se qeveria po mendon te mbyllë rrjetet sociale Tik -Tok dhe SnapChat, dy rrjete që shihen si ndër shkaktarët e dhunës dhe bullizmit mes adoleshentëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë