Gazeta Si - Kreu i SPAK, Altin Dumani, e ka cilësuar një sukses operacionin ndërkombëtar për goditjen e një rrjeti të përpunimit dhe shitjes së drogës nga Shqipëria me bazë në fshatin Qerekë të Fushë Krujës. Dumani e konsideroi si një moment kyç në luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri.
“Ky hetim është dëshmi e qartë se SPAK është i përkushtuar për të ndjekur dhe goditur rrjetet kriminale që kërcënojnë sigurinë dhe drejtësinë në vendin tonë. Suksesi i deritanishëm i këtij procedimi penal tregon se bashkëpunimi ndërkombëtar dhe ekspertiza e brendshme janë çelësi për rezultate konkrete”, u shpreh Dumani, sipas një njoftimi për shtyp të SPAK.
Ndërkohë, prokurori i çështjes, Adnan Xholi, theksoi rëndësinë e përdorimit të mjeteve të posaçme të hetimit në zbardhjen e këtij rrjeti.
“Ky hetim na ka treguar një model të ri dhe kompleks të trafikut ndërkombëtar të drogës, ku ekspertiza e huaj kombinohet me elementët lokalë për të ngritur një sistem të integruar kriminal. Goditja e këtij rrjeti është një sinjal i fortë për të gjithë ata që mendojnë se mund të operojnë të pandëshkuar.”
Rrjeti ndërkombëtar i trafikut të drogës u zbulua falë një hetimi të Prokurorisë së Posaçme, të nisur në vitin 2023. 10 janë të arrestuarit, 7 shqiptare dhe 3 të huaj, prej të cilëve 2 nga Venezuela dhe një nga Kolumbia.
Bëhet fjalë për një laborator të përpunimit të kokainës, drogë e cila sillej nga Amerika Latine e kontaminuar dhe përpunohej në Shqipëri, duke u bërë kështu gati për tregun europian. Përveç laboratorit në Qerekë, grupi kriminal kishte edhe ambientet të tjera të vendosura në Tiranë e Durrës, në ndihmë të gjithë kësaj sipërmarrjeje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.