Drejtësia

Akuzohet për lejet e ndërtimit në Durrës, SPAK kërkon 4 vite burg për ish-kryebashkiakun, Vangjush Dako

Gazeta Si - Prokuroria e Posaçme ka kërkuar 4 vite burg për Vangjush Dakon, i akuzuar për shpërdorim detyre në dy raste.

Nëse do të pranohet gjykimi i shkurtuar, ish-kryebashkiaku i Durrësit do të dënohet me 2 vite e 8 muaj burg, sipas kërkesës nga prokurori i SPAK-ut, Sotir Kllapi.

Vangjush Dako nuk ishte i pranishëm në seancë, pasi po gjykohet me masën e sigurisë "arrest në shtëpi". Në sallën e gjyqit, ai u përfaqësua nga avokati i tij.

Prokurori i SPAK, Sotir Kllapi, kërkoi që seanca të vijojë pa praninë e të akuzuarve. Prokurori tha se hetimi nisi në 2020 për shpërdorim detyre dhe me këtë çështje, u bashkua dhe një hetim tjetër mbi procedurën e prokurimit për "Promanade"-s.

Prokurori Kllapi theksoi gjatë pretencës se janë administruar dokumente në Bashkinë Durrës për lejen e ndërtimit, pranë Kadastrës dhe nga sa rezulton nga aktet hetimore, administratori Farruku ka paraqitur dokumentet për zhvillimin dhe ndërtimin e një objekti shtatë kate.

Së bashku me këtë dokument, ka edhe shkresa të tjera për shtesë papafingo dhe pasi specialisti e studioi aty, shtohet edhe studimi sizmik.

Në datën 10 shtator 2010 është miratuar pa papafingon. Në 20 dhjetor 2010, pa filluar ndërtimi, subjekti ka paraqitur kërkesë për shtesë. SPAK deklaroi gjithashtu se Vangjush Dako shkaktoi dëm të madh në buxhetin e bashkisë. Të dyshuarit kanë paraqitur dokumente të rreme dy vjet pasi objekti ishte bërë.

"Si përfundim të pandehurit Vangjush Dako në bashkëpunim me Adhurim Qehajajn, nëpërmjet zbardhjes të vendimit të KRT dy vjet pasi objekti kishte përfunduar, jo vetëm që nuk ka marrë masa për zhvillimin e territorit, por edhe ka hapur legalizim të paligjshëm. Në këtë mënyrë, ka kryer shpërdorim detyre dhe Dako duhet të deklarohet fajtor për këtë episod për akuzën e shpërdorimit të detyrës", - u shpreh prokurori Kllapi.

Ne lidhje me episodin e dytë, prokurori tha se rezulton se Bashkia Durrës ka dashur të blejë projektin "Promenadë". Ky projekt kishte synim zhvillimin e plazhit dhe krijimin e një zone rekreative.

Në vitin 2012 në buxhetin e shtetit ishte parashikuar një tenderim 22 milionë lekë. Në vitin 2013 Vangjush Dako ka ngritur një grup pune të përbërë nga 3 persona të tjerë.

Grupi i punës ka bërë një gabim në projektim dhe sipërfaqe duke përcaktuar 24 hektarë dhe jo 2.4 hektarë sa ishte në të vërtetë.

"Kryetari i bashkisë, pavarësisht se u vu në dijeni për këtë situatë nga KLSH, në bashkëpunim me katër të pandehurit e tjerë ka urdhëruar të bëhet përfituese shoqëria 'Sfera shpk' dhe t’i kalojë shumën prej 8 milionë lekë. Vangjush Dako, jo vetëm nuk mori kasa për dëmin e shkaktuar, por ka shkaktuar një dëm për buxhetin e bashkisë. Si përfundim, të gjithë të pandehurit duhet të deklarohen fajtorë nga gjykata", - shtoi gjatë pretencës prokurori i SPAK, Kllapi.

Dako u vu në pranga në qershor të vitit 2023, por më pas, pas 8 muajsh u lirua, duke përfunduar në "arrest shtëpie" në shkurt të këtij viti për shkak të kalimit të afateve. Seanca e radhës gjyqësore do të zhvillohet në datën 21 nëntor, për t’u lënë kohë avokatëve mbrojtës për të deklaruar mbrojtjen.

Po ashtu, SPAK ka kërkuar për:

Fatmir Ejupi ish topograf - falsifikim dokumentash - 3 vite - gjykim i shkurtuar - 2 vite

Ndërtuesi Fiqiri Farruku - falsifikim dokumentash - 3 vite - gjykim i shkurtuar 2 vite burg - pezullohet burgu - vendoset 4 vite shërbim prove

Adrian Bullu - falsifikim dokumentash- 3 vite - gjykim i shkurturar- 2 vite - pezullohet burgu - vendoset në shërbim prove


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë