Kosova

Sulmoi me thikë 4 persona në Ferizaj, kapet autori. Policia arrestoi dje personin e gabuar

Nga Gazeta 'Si'- Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Ferizaj ditën e hënë, ku një person sulmoi me thikë katër persona kalimtarë në tri zona të ndryshme të qytetit, policia fillimisht arrestoi një person i cili më pas është liruar pasi ka rezultuar se u arrestua gabimisht.

Lajmin e ka konfirmuar Vjosa Baftiu, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Ferizaj.

“Ditën e hënë është arrestuar një person por më pas është liruar, pasi nuk ka qenë ai i dyshuari. Sot gjatë ditës është arrestuar i dyshuari tjetër, i cili është dërguar në paraburgim. Ndaj tij është iniciuar rasti 'Vrasje e rëndë në tentativë’, tha ajo.

Gjithashtu, Baftiu ka bërë të ditur se i dyshuari më herët ka qenë në burg, i dënuar për vrasje. I dyshuari është me inicialet F.I, viti i lindjes 1962.

Viktimat e sulmit janë duke u trajtuar në QKUK dhe Spitalin e Ferizajt. Sulmin e ka dënuar edhe kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, i cili ka pohuar se lajmi për plagosjen e qytetarëve është tronditës.

“Tronditës, lajmi për therjen e 4 qytetarëve – kalimtarë rasti në Ferizaj, dy prej të lënduarve të moshës minore e dy të tjerë të moshës madhore. Kryesi i këtij akti kriminal, brenda pak minutave është vënë nën prangat e Policisë. Tani drejtësia do të thotë fjalën e saj."


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë