Drejtësia

Sterilizimi / Ish-ministri Ilir Beqaj lë qelinë dhe me pranga në duar shkon të dëshmojë në Komisionin Hetimor (Foto e Video)

Gazeta Si - Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është dëshmitari i radhës i thirrur në Komisionin Hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-Up në Shëndetësi.

Beqaj mbërriti me pranga në duar në orën 10:30 në Kryesinë e Kuvendit për rolin e tij në koncensionin e "Sterilizimit", ndërsa ndodhet në burg i akuzuar për shpërdorim të fondeve të SASPAC dhe gjithashtu nën hetim me masë “detyrim paraqitje” për “Sterilizimin”.

Në lidhje me “Sterilizimin”, Prokuroria ka ngritur veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” ndaj Beqajt lidhur me procedurat e dhënies së koncesionit me vlerë 100 milionë Euro, në vitin 2015.

Ditën e djeshme në këtë komision ka dëshmuar biznesmeni Ilir Rrapaj (i arrestuar për koncensionin e Sterilizimit).

Që në nisje të dëshmisë, Rrapaj mohoi të kishte njohje me ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, të cilin tha se për herë të parë e kishte takuar në 22 nëntor të 2013 në një aktivitet të zhvilluar nga qeveria dhe Kryeministri Rama në Pallatin e Koncerteve.

Mirëpo, nga hetimet ka rezultuar se ish-ministri Beqaj nuk ka evituar konfliktin e interesit me biznesmenin Ilir Rrapaj, fituesin e koncesionit me vlerë 100 milionë euro dhe nuk ka kërkuar studim të detajuar për nevojat e sterilizimit në mënyrë që të zgjidhte një variant më pak të kushtueshëm.

Në këto kushte, SPAK ka vënë në akuzë edhe Ilir Rrapajn në cilësinë e aksionerit të kompanisë dhe ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë në atë kohë, Klodian Rjepaj, të cilët prej gushtit 2023 ndodhen në burg.

Sipas Prokurorisë së Posaçme ata kanë konsumuar veprat penale të falsifikimit të dokumenteve, mashtrimit dhe shpërdorimit të detyrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë