Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka bërë të ditur se është vënë në pranga një punonjës i policisë, i cili akuzohet se ka dekonspiruar operacionet policore dhe dyshohet se është përfshirë në veprimtarinë kriminale të trafikimit të narkotikëve.
Mësohet se në pranga është vënë Albano Rustemi, i cili sipas AMP, në kohën e regjistrimit të këtij procedimi penal ishte me detyrë Agjent në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër dhe aktualisht punonjës policie në Komisariatin e Policisë Dibër.
“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë - Gjirokastër) ka ekzekutuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg” ndaj punonjësit Albano Rustemi, i cili kohën e regjistrimit të këtij procedimi penal ishte me detyrë Agjent në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër dhe aktualisht punonjës policie në Komisariatin e Policisë Dibër, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”.
Nga hetimet e kryera me metoda proaktive në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, ky punonjës policie rezultoi i dyshuar për:
- dekonspirim të aksioneve të policisë;
- përfshirje në veprimtarinë kriminale të trafikimit të narkotikëve;
- dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit;
- kontrabandë me mallra të tjera.
Vijon hetimi për përfshirjen e zyrtarëve të tjerë në këtë veprimtari kriminale”, njofton AMP.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.