Drejtësia

Kërkoi zbutje të masës së sigurisë, GJKKO lë në burg ‘financierin e Habiljave, Nezar Seiti

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka rrëzuar kërkesën e Nezar Seiti për zbutje të masës së sigurimit.

Seiti është i akuzuar si pjesë e grupit të Habilajve, i cili njihet si financier i grupit dhe ka lënë të pandryshuar masën aktuale të sigurimit.

Në përfundim të gjykimit, gjykata ka vlerësuar se kërkesa për zëvendësim të masës nuk është e justifikuar.

Gjithashtu, është bërë e ditur se ky vendim mund të apelohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 ditëve nga komunikimi i vendimit.

Nga përgjimet e Prokurorisë së Katanias, rezulton se ai ka pasur rolin e financierit të grupit "Habilaj" dhe kujdesej për blerjen e gomoneve të shpejta, me të cilat pastaj grupi kryente transportin e kanabisit nga Shqipëria drejt Italisë. Gjithashtu, përgjimet konfirmuan edhe se Seiti bënte shpërndarjen e parave mes anëtarëve të bandës.

Grupi kriminal ishte në përgjim që prej vitit 2013 dhe në dosjen e Prokurorisë së Katanias, gjatë përgjimeve të disa anëtarëve të grupit përmendej edhe ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Habilajt kanë përdorur emrin e ministrit si të përfshirë në trafikun e kanabisit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë