Nga Gazeta Si – Teksa pak ditë më parë në vendin tonë u identifikua dhe u izolua një vatër me gripin e shpendëve, në Europë situata është alarmante, me shpërthimin e disa sëmundjeve, si lija e dhenve, flama, afta epizootike ( sëmundje virale, me ngjitshmëri të madhe që prek kafshët dythundrake) dhe “Gjuha blu” (sëmundje që prek delet, dhitë dhe gjedhin).
Për këtë, Ministria e Bujqësisë ka ndërmarrë hapa për ndalimin e përhapjes së tyre në vendin tonë.
Ministria e Bujqësisë përmes urdhrave të posaçëm ka marrë masa mbrojtëse ndaj sëmundjes së influencës aviare të shpendëve, për shkak të shfaqjes së këtij virusi në disa vende të ndryshme të Evropës.
Ndër masat kryesore të ndërmarra nga Ministria e Bujqësisë përfshijnë ndalimin e importit apo kalimit tranzit nëpërmjet territorit të Shqipërisë të shpendëve të gjallë shtëpiakë, zogjve 24-orësh, materialit biologjik të shpendëve, vezët e shpendëve, mishi i shpendëve të patrajtuar termikisht apo dhe nënproduktet e shpendëve të patrajtuar termikisht.
Masa janë marrë edhe për mbrojtjen ndaj infeksionit të njohur me termin “Gjuha Blu” që prek kryesisht bagëtitë e cila është shfaqur në Suedi, Danimarkë, Portugali, Austri, Holandë dhe Spanjë.
Gjithashtu, është ndaluar importi edhe nga Greqia, Turqia dhe Bullgaria për shkak të pranisë së “Gjuhës blu”, sëmundje infektive që prek delet, dhitë dhe gjedhin.
Në Europë ka dhe një prani edhe të sëmundjeve si flama apo aftas epizootike që përbëjnë problem nëse shfaqen në masë.
Pak ditë më parë Ministria e Bujqësisë bëri të ditur se për shkak të gripit të shpendëve u monitoruan 2,304 ferma në vend me mbi 96 mijë shpendë ku janë analizuar 90 mostra zyrtare të tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.