Ngjarje

Rikthimi i forcave rezerviste, drafti përcakton kriteret: Ushtar, deri 50 vjeç

Nga Gazeta 'SI' - 2.100 ish-ushtarakë apo civilë do të kenë mundësinë që të bëhen pjesë e rezervistëve të ushtrisë shqiptare, sipas një vendimi të miratuar së fundmi nga qeveria.

Drafti i depozituar në Kuvend përcakton se një individ për të qenë ushtar duhet të jetë deri në 50-vjeç, deri 55 vjeç për nënoficer dhe deri 60 vjeç për oficer. Është kusht që të jenë shtetas shqiptarë dhe të mos jenë dënuar me vendim të formës së prerë.

Ish-ushtarakët që kanë qenë më parë pjesë e forcave të armatosura, të cilët bëhen pjesë e forcës rezerviste, do të marrin gradën që kanë pasur më parë. Ndërkohë, ata që nuk kanë shërbyer më herët në ushtri, do të marrin gradën e parë ushtarake.

Shtetasit civilë, të cilët plotësojnë kriteret e pranimit në shërbimin ushtarak rezervist, pranohen nëpërmjet procedurës së rekrutimit dhe nënshkruajnë kontratën përkatëse për shërbimin ushtarak ku përcaktohet edhe koha e shërbimit ushtarak rezervist, për një periudhë jo më pak se 2 vjet me të drejtë rinovimi, por pa kaluar kriteret e qëndrimit në shërbimin ushtarak në rezervë.

Procedura e rekrutimit, sipas kësaj pike, miratohet me udhëzim të ministrit të Mbrojtjes.

Projektligji i miratuar nga Këshilli i Ministrave tashmë ndodhet në Kuvend dhe parashikon që kostoja fillestare e aktivizimit të rezervistëve të jetë 1.5 miliardë lekë ndërsa kosto mesatare e mobilizimit për një afat 40 ditor mobilizim në vit të jetë 826 milionë lekë.

Paralelisht, Kuvendi ka miratuar dhe krijimin e shoqërisë së prodhimit të armëve, “KAYO”, me qëllim rijetëzimin e industrisë së armëve dhe municioneve në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë