Gazeta Si - Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit, ka refuzuar kërkesën e të dënuarit Fatmir Pjetri për ta nxjerrë nga regjimi i posaçëm " 41 Biss" në burgun 313 në Tiranë.
Pjetri është dënuar si anëtar i "Bandës së Babagjyshëve”, dhe po vuan një dënim me 30 vite burg për "vjedhje me armë" dhe "grup kriminal".
Ai njihet si nga një anëtarët më aktivë të kësaj bande famëkeqe, e cila ka bërë disa nga grabitjet më spektakolare, si ajo në një qendër tregtare në Tiranë, ku vodhi një argjendari. Pas kësaj ngjarje ai u arrestua në 24 nëntor të 2017.
Në vitin 2021, ai u bë protagonist i një tentative arratie nga burgu 313 bashkë me Arbër Çekajn. Pjetri është izoluar në 41bis që në prill 2024.
Ata kishin planifikuar të kapërcenin muret e jashtme të burgut, në një moment kur gardianët nuk e kishin mendjen pasi po transportonin një tjetër të burgosur (Lulzim Cepelen) që kishte tentuar vetvrasjen
Por gjithçka dështoi, pasi një punonjës Policie i ka pikasur në momentin që ata kanë zbritur nga tarraca dhe ka dhënë sinjalin tek kolegët e tjere. Nga përleshja me ta, efektivi ka mbetur i plagosur
“Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenet 112 dhe 471 e vijues të K.Pr.Penale dhe nenin 17 të Ligjit nr. 81/2020, datë 25.06.2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, me vendimin Nr. 234, datë 06.11.2024, vendosi: Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit (të dënuarit) Fatmir Pjetri. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të këtij vendimi”, thuhet në vendimin e Gjykatës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.