Nga Gazeta ‘Si’- Bashkimi Evropian ka reaguar pasi Qeveria e Kosovës së fundmi ka refuzuar të themelojë Asociacionin mbi një draft evropian, duke e quajtur atë një dokument pa nënshkrim.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se Asociacioni është obligim për Kosovën.
“BE-ja dëshiron të kujtojë se themelimi i Asociacionit është obligim i paplotësuar i Kosovës që rrjedh nga Marrëveshja e Dialogut e vitit 2013, e vetmja Marrëveshje e Dialogut e ratifikuar nga Parlamenti i Kosovës me shumicë prej dy të tretash. Prandaj është obligim i qartë ligjor për Kosovën sipas ligjit ndërkombëtar. Fatkeqësisht, Kosova që nga viti 2013 nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm drejt themelimit të saj dhe rrjedhimisht drejt mbrojtjes së shtuar të të drejtave të njerëzve që u përkasin komuniteteve joshumicë”.
Stano ka rikujtuar se sipas marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015, Statuti për themelimin e Asociacionin duhet të hartohet dhe të diskutohet në dialog.
Kjo, sipas tij, do të thotë se çdo propozim duhet të diskutohet me Serbinë dhe ndërmjetësuesin e BE-së dhe të jetë në përputhje me marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015.
“Në tetor 2023, në përpjekje për të çuar përpara procesin e normalizimit, BE-ja – e mbështetur nga shtetet anëtare dhe partnerët e saj si SHBA-ja – prezantoi një projekt-statut evropian për krijimin e Asociacionit bazuar në modelet dhe praktikat më të mira evropiane, gjithashtu si kornizë ligjore e Kosovës, të cilën të dyja palët e kanë pranuar në parim. Në konkluzionet e tij të dhjetorit 2023, Këshilli Evropian përshëndeti “gatishmërinë e Serbisë dhe Kosovës për të pranuar draft-statutin e paraqitur palëve nga Lehtësuesi i BE-së”. Kjo është një njohje formale e dokumentit nga të 27 Shtetet Anëtare të BE-së”, tha Stano.
Zëdhënësi i Qeverisë, Perparim Kryeziu, ka thënë se draftstatuti evropian është një dokument pa nënshkrim, si shumë propozime të tjera.
“Rikujtojmë se draft statuti i BE-së nuk e ka nënshkrimin as të përfaqësuesit të lartë të BE-së, Borrell e as të emisarit të tij, Lajçak, aq më pak të kryeministri Kurti. Statusi i draftstatutit është ai i një non-paper, njëri ndër disa propozimet që janë bërë në vitet e kaluara”, tha Kryeziu.
Ndërsa kryeministri Albin Kurti tha se ai nuk formon asociacione dhe këtë e bëjnë vetë komunat mes vetes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.