Pesë ditë pasi anija me flamur turk “Moliva”, e cila transporton më shumë se 200 kontejnerë me mbetje të dyshuara të rrezikshme mbërriti në portin e Durrësit dhe prokuroria e rrethit vendosi të sekuestrojë kontejnerët, organi i akuzës ka reaguar përmes një komunikate për mediat në lidhje me çështjen.
Prokuroria e Durrësit sqaron se institucionet përkatëse si Autoriteti Portual Durrës dhe drejtoritë janë në fazën e kryerjes së ekzekutimit të urdhrit për sekuestrimin e kontejnerëve.
“Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, duke marrë parasysh interesin e madh publik në lidhje me procedimin penal nr.1596.2024 dhe ekzekutimin e urdhrit të sekuestros të kontejnerëve, bën me dije se institucionet e ngarkuara për ekzekutimin e urdhrit të sekuestros, datë 27.10.2024 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, kanë organizuar punën dhe janë në fazë ekzekutimi të tij. Ata kanë njoftuar zyrtarisht Prokurorinë në lidhje me masat që kanë marrë, ndërsa vonesat lidhen me kompleksitetin e çështjes, si volumi i sendeve objekt sekuestrimi, llojit të sendit dhe veçanërisht nevojës për të garantuar sigurinë mjedisore dhe fizike te tyre”, informon organi i akuzës.
Në vijim sqarohet se deri në momentin e finalizimit të procesit të sekuestros, anija do të vijojë të qëndrojë në radë nën monitorimin e efektivëve të policisë së shtetit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.