Drejtësia

I kërkuar për lidhje me grupet mafioze, ekstradohet në Rusi 59-vjeçari Igor Kokunov

Gazeta Si- Me një vendim të marrë nga Gjykta Kushtetuese, Igor Kokunov, 59 vjeç, është ekstraduar drejt Rusisë nga Shqipëria, i akuzuar nga autoritetet atje si i lidhur me grupet mafioze. Në një njoftim për mediat, Drejtoria e Burgjeve ka reaguar zyrtarisht për ekstradimin e tij drejt Rusisë.

Reagimi i saj vjen pas pretendimeve të avokatëve të shtetasit rus se ekstrdimi është bërë në shkelje të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

Reagimi i Ministrisë së Drejtësisë:

"Ekstradimi i shtetasit rus Igor Kokunov nga Shqipëria në Rusi u realizua sipas procedurave ligjore dhe vendimeve gjyqësore të miratuara nga autoritetet shqiptare. Kokunov, lindur më 10.02.1964 në Rusi, u arrestua në Shqipëri më 26.08.2023 dhe fillimisht iu caktua masa e sigurimit "Arrest në burg" për 40 ditë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër më 29.08.2023. Me vendim të ri më 04.10.2023, kjo masë u shndërrua në "Arrest në burg" pa afat, për të mundësuar vazhdimin e procedurave të ekstradimit.

Në kuadër të përgatitjeve për ekstradimin, më 26.09.2024 Ministria e Drejtësisë kërkoi informacione për gjendjen ligjore të Kokunov. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve konfirmoi se ai mbahej për efekt të masës së sigurimit "Arrest në burg", pa afat. Pas miratimit të ekstradimit nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe konfirmimit nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë, Ministria e Drejtësisë miratoi ekstradimin më 14.10.2024.

Ekstradimi i shtetasit rus Igor Kokunov u krye më datë 30 tetor 2024, në orën 16:45, sipas proces-verbalit të nënshkruar në Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, ku ai u dorëzua autoriteteve ruse. Më datë 31 Tetor 2024, Ministria e Drejtësisë u njoh zyrtarisht me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa me email Gjykata njoftoi Ministrinë e Drejtësisë në orën 17:53 të datës 30 tetor, jashtë orarit zyrtar. Ky vendim, i marrë nga Gjykata Kushtetuese në datë 30.10.2024, ora 17:15, urdhëronte pezullimin e përkohshëm të procedurave të ekstradimit deri në një vendimmarrje të dytë nga kjo gjykatë", - thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Burgjeve.

Igor Kokunov u arrestua në pikën kufitare të Muriqanit më 28 gusht të vitit 2023, pasi ishte shpallur nga Interpoli Ndërkombëtar Rusi dhe i dënuar me 15 vite burg. 

Ai akuzohet për veprën penale të marrjes së detyrave në hierarkinë e lartë të strukturave kriminale në Rusi. Ndërkohë, rusi kërkoi azil politik në Shqipëri, me pretendimin se në Rusi i rrezikohet jeta.

Ai u arratis më 22 shkurt të vitit 2022 nga arresti shtëpiak në pritje të gjykimit, njoftonin gazetat ruse. Kokunov akuzohet për krime të tilla si rrëmbimi, zhvatja, grabitja, mashtrimi dhe organizimi i biznesit të paligjshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë